Avokati i përfshirë në dosjen e Troplinëve i drejtohet GJKKO-së: Mos më çoni në burg, ja pse
Mes personave të ndaluar në kuadër të operacionit ndaj grupit të Troplinëve në Durrës është edhe avokati Armand Tragaj.
Ky i fundit ka rezultuar në dosjen e prokurorisë se kishte aplikacion të kriptuar “Sky ECC”, duke identifikuar dhe kodet që përdorte. Ndalimi i tij është kryer pasi SPAK zbuloi se ka kryer veprën penale të ndikimit të paligjshëm në 4 episode.
Burime për OraNews bëjnë me dije se në sallën e gjyqit i është drejtuar gjykatës me kërkesë për një masë më të butë sigurie se sa ajo e arrestit në burg.
Armand Tragaj: "Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me babin e sëmurë dhe njerkën e paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijë të vogël. Dhe për këtë fakt u kërkoj të jem pranë familjes".
Pas përfundimit të fjalës së të ndaluarit, gjyqtaria Rudina Palloj do të vendosë për 14 personat e ndaluar.

