Po hante krudo dhe karkaleca, Flobenc Gega në kërkim për 3 episode vrasje ndaj “Krymit” dhe Aldo Bahos

Ka qenë një telefonatë në sallën operative në policinë e Durrësit se persona të armatosur, ndodheshin në një restorant lukzos, duke darkuar në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Informacioni është vlerësuar në kohë rekord nga strukturat kriminale të kësaj drejtorie, duke çuar forcat speciale dhe ato operacionale në zonë ku qëndronin personat e armatosur.

Flobenc Meçja alias Drini apo Gega, së bashku me personin tjetër Voltan Xhani, në momentin e ndërhyrjes së policie, po konsumonin darkën me krudo dhe karkaleca, ndërsa SPAK dhe prokuroria e Shkodrës i kishte shpallur në kërkim për akuza të rënda ndaj personit.

Që prej muajit Korrik 2024, Flobenc Gega ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Gordonët”, duke e përfshirë në një grup kriminal që sipas SPAK drejtohej nga vellezërit “Çopja” në Dubai.

Në dosjen e SPAK, Flobenc Gega rezulton i akuzuar për Sigurim të kushteve për të kryer vrasjen në dy episode ndaj Erjon Alibej që njihet në Elbasan me nofkën “Krymi”.

Episodi i parë është regjistruar në periudhën e muajit Nëntor 2019 deri në Janar 2020, ku sipas SPAK Flobenc Gega bisdon me vëllezërit Çopja, të cilët i ofrojnë 5 milion euro për të vrarë Erjon Alibej në ambientet e burgut të Bradasheshit.

Ndërsa episodi i dytë është rregjistruar nga SPAK në periudhën korrik-nëntor 2020, ku sërish Flobenc Gega, hynë në negociata me vëllezërit Çopja për të vrarë Erjon Alibej.

Aktualisht Erjon Alibej alias “Krymi”, është marrë i pandehur për një seri atentatesh kriminale me pasojë vdekjen dhe tashmë gëzon statusin e bashkëpunëtorit të SPAK.

Ndërsa episodin e tretë, Flobenc Gega e ka të regjistruar në periudhën korrik-gusht 2020, duke kryer sigurimin e mjeteve për të kryer vrasjen e Aldo Bahos, shokut të Erjon Alibejt dhe Nuredin Dumanit.

Në darkë me Flobenc Gegën ishte dhe Voltan Xhani person i shpallur në kërkim nga prokuroria e Shkodrës, për sigurimin e kushteve për realizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër.

Njëherësh në darkën me krudo dhe verë të bardhë ishte dhe Xhevdet Plaku, i cili disa muaj më parë kishte mundur të arratisej nga burgu në Itali dhe të gjente strehim në territorin shqiptar.