VIDEO/ Qëlloi me pistoletë lodër mjeken, përplasi makinat e policisë teksa largohej, momenti kur policia shtrin në tokë 42-vjeçarin

Është publikuar edhe videoja lidhur me incidentin e ndodhur paraditen e kësaj të premte në Tiranë, ku një qytetar tentoi t’i shmanget forcave të policisë, duke shkaktuar një përplasje me tre automjete të tyre.

Ngjarja ka si protagonist 42-vjeçarin Enis Vrapi, për të cilin dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ai ndodhej në ambientet e spitalit QSUT kur ka marrë një armë lodër që gjuan me gogla dhe ka qëlluar në këmbë një infermiere.

Më pas, Vrapi ka dalë jashtë spitalit dhe ka hipur në një automjet tip “Land Rover”, me të cilin ka hyrë në rrugë.

Në përpjekje për ta ndaluar, policia është përballur me rezistencën e tij, teksa ai ka tentuar të arratiset, duke përplasur tre mjete të patrullës së rendit.

Si pasojë e përplasjes, dy efektivë policie kanë pësuar lëndime të lehta.

Autoritetet po hetojnë ngjarjen për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij veprimi të rrezikshëm.