AMP-ICITAP, fokusi te modernizimi i kapaciteteve teknologjike e profesionale

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani priti në takim zëvëndësdrejtorin e ICITAP Stephen Fields i shoqëruar nga Atasheu i ICITAP në Shqipëri Richard Deasy.

Në fokus të takimit ishin sfidat aktuale në trajtimin e rasteve komplekse, rritja dhe modernizimi i kapaciteteve teknologjike dhe profesionale, si edhe thellimi i bashkëpunimit strategjik ndërinstitucional në fushën e zbatimit të ligjit.

Sulejmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të programit ICITAP, nëpërmjet asistencës së dedikuar për trajnimet profesionale të stafit, veçanërisht trajnimet e specializuara në FBI, mundësimin e pajisjeve të fjalës së fundit dhe vizitave studimore në institucionet homologe, duke e cilësuar si një partner kyç në përmirësimin e praktikave të punës.

Në fjalën e tij Fields, përgëzoi drejtuesin e agjencisë për rezultatet e deritanishme sasiore dhe cilësore, ku gjithashtu vlerësoi edhe përpjekjet dypalëshe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në përputhje me objektivat e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në përfundim Sulejmani garantoi një angazhim edhe më të madh në vijimësinë e bashkëpunimit me ICITAP në përmbushje të funksionit të agjencisë drejt rritjes së besimit institucional dhe publik.