Nga Kili, 932 kg kok**në mes midhjeve në Itali/ Biseda në “SKY” e policit që çoi në zbulimin e grupit të “Visit të Pojës”

Një sasi prej 932 kilogram kokainë që vinte nga Kili në Itali përmes një konteineri me midhje të ngrira, mësohet të jetë identifikuar nga SPAK, si një ngarkesë që i përkiste klanit të Elvis Doçit alias “Visit të Pojës” në Durrës.

Ngarkesa ishte në 800 blloqe, të futura brenda 37 thasëve, sasi kjo që sipas prokurorisë, nëse do ishte prerë deri në 4 herë nga trafikantët dhe të hidhej në treg, do sillte të ardhura ekonomike deri në 186 milion euro.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se kjo sasi e madhe kokaine, është kapur në një kontejnier me midhje të ngrira, në 2 nëntor 2020 nga zyrtarët e Agjensisë Doganore të “Gioia Tauro”, së bashku me ushtarët e komandës Provinciale të “Reggio Calabria” dhe Drejtorinë Antimafia të Qarkut.

Që nga periudha vitit 2020 deri në 5 nëntor 2024, SPAK dhe prokuroria italiane, nuk kanë pasur dijeni se kujt i përkiste kjo sasi e madhe kokaine, që u kap në Itali.

Në 2024 oficerët e BKH-së, përmes leximit të bisedave në aplikacionin “Sky”, kanë mësuar rreth përmbajtjes së tyre, ku flitej për kapjen e një sasie të madhe droge në 2 nëntor 2020.

Në lidhje me këtë ngjarje SPAK ka kërkuar nga autoritet italiane në 5 nëntor 2024, që ti venë në dispozicion aktet hetimore që janë plotësuar në rastin e ndjekjes së hetimeve për kapjen e 932 kg kokainë në “Gioia Tauro”.

Letërporosinë e dërguar në Itali, SPAK e mbështet pikërisht në informacionet e përftuara nga bisedat e zhvilluara në aplikacionin “Sky”.

Personi që flet në “Sky” për sasinë 932 kg drogë është pikërisht një punonjës policie Orgest Molla, i cili dyshohet se vepron nën urdhërat e grupit të Troplinëve.

Punonjësi i policisë Orgest Molla flet me Sueld Elezin dhe i dërgon një foto në “Sky”, ku një media italiane kishte raportuar kapjen kapjen e 932 kg kokainë në “Regio Calabria”.

Ata flasin në mënyrë të koduar, ku pakove të drogës i referohen me emrin “Bukë”.

Dërgimi i fotos dhe biseda në “Sky” mes dy protagonistëve është realizuar 8 ditë me vonesë nga kapja e kokainës, pra në 10 nëntor 2020.

Mes tyre zhvillohet kjo bisedë si më poshtë vijon:

Molla: Prandaj na duhen lekët shpejt vëlla...a kupton...

Elezi: Vlla, a do z’bresësh prap, për këtë italjonin tim...

Molla: Hahhaha, pos a ju duhen? T’ju a ruaj...se ka shumë kërkesa dhe nuk kemi shumë mall. Se na u kapën dhe ato 932 bukë, a e pe o vëlla.

Elezi: Do të sjell 3 bukë?

Molla: Vëlla ehee..., për atë thu ti, po ato i ke ti, ti kam ndarë veç...por thashë se do prapë.

Elezi: Ok...vëlla.

Molla: Sa doni t’ju ruaj shoku...?

Nisur nga kjo bisedë e zhvilluar mes dy personave të mësipërm SPAK ka krijuar dyshimin se grupi i Troplinëve është organizatori i transportit të 932 kg kokainë nga Kili në Itali, ku dhe më pas e shpërndanin tek blerësit shqiptarë dhe italianë.

Sipas SPAK, Orges Molla së bashku me Sueld Elezin dhe persona të tjerë të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, janë angazhuar intesivisht të trafikojnë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga vendet e Origjinës në Kili drejt vendeve të Bashkimit Europian.