Ronaldinho: Unë, pastaj Messi, tani është koha e Lamine Yamal

Legjenda braziliane Ronaldinho ka folur për gazetën spanjolle ‘MARCA’, duke vlerësuar ‘yllin’ e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, të cilin e sheh si pasardhësin natyral të tij dhe Lionel Messi-t në klubin katalanas.

“Unë dhe Messi kemi shkruar historinë, tani është radha e Lamine Yamal. Ajo që ka treguar deri tani është e jashtëzakonshme, duke qenë kaq i ri dhe me aq shumë talent.

Më pëlqen të shoh lojtarë si ai, sepse i bëjnë mirë futbollit. Shpresoj të ketë një karrierë si jona”, u shpreh Ronaldinho.

I pyetur nëse krahasimi i Yamal me të dhe Messin është diçka pozitive apo jo, ai u përgjigj: “Nuk më kanë pëlqyer kurrë krahasimet, sepse çdo lojtar ka stilin e vet.

E rëndësishme është që Yamal të sjellë gëzim tek njerëzit, siç bëra unë dikur dhe më pas Messi.

Shpresoj të vazhdojë në këtë rrugë. Topi i Artë? Është shumë afër ta fitojë. Ka shumë lojtarë të mëdhenj në botë, por ai bën pjesë në elitë.

Është e pabesueshme sa i ri është, por mund të hyjë në histori duke e fituar atë jo vetëm një herë, por disa herë”.

Ronaldinho foli edhe për një tjetër ‘yll’ brazilian, Vinicius Junior, që nuk arriti të fitonte Topin e Artë:

“Po, ishte një padrejtësi. Ka vite që fiton kompeticionet më të rëndësishme dhe shënon në finalet e Ligës së Kampionëve. Mendoj se e meritonte”.

Për finalen e Champions League mes PSG dhe Interit, ai tha: “Shpresoj që PSG ta fitojë.

Më kanë trajtuar me shumë dashuri kur erdha në Evropë dhe prej vitesh e ndjek ëndrrën e tyre për këtë trofe.

Tani kanë një trajner të madh dhe mikun tim të mirë, prandaj shpresoj që ta arrijnë”.

Në fund, për Carlo Ancelottin, trajneri i ri i Brazilit, Ronaldinho tha: “Më pëlqen shumë. Kemi punuar bashkë, e njoh mirë dhe mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë.

Si brazilian, jam i lumtur dhe besoj se do të bëjë një punë të shkëlqyer. Shpresoj që të fitojë Kupën e Botës”.