Evra zbulon sherrin Ronaldo–Van Nistelrooy, shkaktuar nga batuta e hidhur për babanë e portugezit

Patrice Evra, tashmë një figurë e njohur në rrjete sociale dhe platforma të ndryshme sociale, pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist, ka ndarë shpesh kujtime nga koha e vet si lojtar. Së fundi ka treguar një episod të veçantë që ndodhi në stërvitjen e tij të parë te Manchester United.

Evra ka rrëfyer se ajo seancë stërvitore ndodhi vetëm disa ditë pas vdekjes së babait të Cristiano Ronaldos. Gjatë një ndeshjeje brenda skuadrës, Carlos Queiroz, zëvendëstrajneri i legjendarit Sir Alex Ferguson, po gjykonte si arbitër dhe në një moment akordoi faull në favor të Ronaldos.

Në atë moment, Ruud van Nistelrooy, me një ton ironik dhe të papërshtatshëm, e vuri në dyshim vendimin duke thënë që Queiroz ishte bërë “babai” i ri i Ronaldos.

Këto fjalë e prekën thellë CR7, i cili filloi të qante dhe më pas u afrua me kërcënim drejt Van Nistelrooy, duke nisur një përplasje verbale dhe fizike me të. Ferguson, i cili vërejti menjëherë situatën, ndërpreu stërvitjen dhe i dërgoi të gjithë lojtarët në dhomat e zhveshjes.

Evra e tregoi këtë ngjarje për të shpjeguar se çfarë do të thoshte të stërviteshe me “përbindësha” si Rooney, Giggs dhe Scholes, duke theksuar se niveli i stërvitjes ishte aq i lartë sa të bënte të ishe i përgatitur për çdo ndeshje. Nuk është rastësi që ajo skuadër fitoi gjithçka dhe mbetet ndër më të fortat në historinë e futbollit.