Frattesi dhe Lautaro drejt rikthimit në stërvitje me grupin, për aktivizimin vendos Inzaghi

Pasi kaloi zemërimin, edhe heshtjen  e fundjavës, Interi është rikthyer në punë për ditën e dytë stërvitore në “Appiano Gentile”, në prag të transfertës ndaj Comos, ndeshje që do të mbyllë kampionatin për zikaltërit, përpara finales së madhe të Champions League. Aktualisht, ka dy pikëpyetje mbi përbërjen e skuadrës së Simone Inzaghit për sfidën buzë liqenit.

Si janë Frattesi dhe Lautaro? Mesfushori italian dhe sulmuesi argjentinas, të munguar në barazimin 2-2 ndaj Lazios në “San Siro”, po rikuperohen nga dëmtimet e tyre dhe janë në përparim.

Në seancën stërvitore të mëngjesit të djeshëm, ata vazhduan të punojnë veçmas, ndërkohë që pjesa tjetër e ekipit ishte në grup.

Rikthimi në grup, të enjten? Megjithëse bëhet fjalë për dëmtime të ndryshme, Frattesi dhe Lautaro ndjekin një program rikuperimi të ngjashëm sa i përket kohës. Sot pritet të stërviten sërish veçmas, ndërsa rikthimi në grup parashikohet të ndodhë të enjten, në vigjilje të ndeshjes kundër Comos.

Nëse gjithçka shkon mirë nga ana mjekësore, atëherë do të jetë trajneri Inzaghi që do të vendosë nëse do t’i marrë me vete për në pankinë, një skenar i mundshëm, të paktën për ruajtjen e dinamikave të grupit. Sa i përket aktivizimit të tyre, është e vështirë të bëhet një parashikim i saktë dhe kjo nuk është aspak e sigurt.

Megjithëse Interi ruan ende shpresa minimale për titullin, data e vërtetë e rëndësishme për zikaltërit është 31 maji, kur do të luajnë finalen e Champions League ndaj PSG-së. Të gjitha vendimet do të merren me synimin për të qenë në formë maksimale atë ditë.