Bardhi: Dorëzova në SPAK prova të korrupsionit zgjedhor në qarkun e Fierit
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi njoftoi sot se ka dorëzuar në SPAK prova të korrupsionit zgjedhor në këtë qark.
Sipas një njoftimi për shtyp, Bardhi u shpreh se ka dorëzuar listën e plotë me qindra emra, e gjeneruar nga shtabet elektorale të Partisë Socialiste, në të cilin krahas emrit, atësisë, mbiemrit, shënohet qendra e votimit, arsimi, punësimi i mëparshëm, pozicioni në strukturat e PS-së apo angazhimi në fushatë, si dhe premtimi për t’u punësuar në një pozicion në administratën shtetërore apo vendi i punës ku është emëruar personi në këtë periudhë zgjedhore.
Bardhi pretendon se “jemi përpara konsumimit të veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, në formën e premtimit për vende pune apo punësimit për të mbështetur Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj, për të cilën Kodi Penal parashikon ndëshkimin me burg deri në 5 vjet”.
“SPAK ka mundësinë e artë të dëshmojë sa serioze është strategjia dhe taskforca që ka ngritur për të luftuar krimet zgjedhore, duke kryer që sot identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës të kësaj skeme kriminale”, u shpreh Bardhi duke u shprehur se SPAK duhet të nisë nga drejtuesja politike e PS-së për qarkun Fier dhe secili vartës i saj.
“Deri më tani për fat të keq nga SPAK përveç njoftimeve për hapjen e një zyre apo dhurimit të disa kompjuterave nga OSBE, nuk është vërejtur asnjë angazhim real për të goditur krimet zgjedhore që konsumohen para syve të të gjithëve çdo sekond në qarkun e Fierit”, përfundoi Bardhi.
