Ritme të shpejta punimesh në shkollën “Sali Halili” në Rrajcë, hapësira moderne për 600 nxënës

Në Rrajcë (Përrenjas) po vijon me ritme të shpejta punimet për ndërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Sali Halili”. Ministrja e Shtetit për Fëmijët dhe të Rinjtë, Bora Muzhaqi inspektoi nga afër punimet që po kryhen në këtë shkollë.

“Godina e re do të ofrojë kushte bashkëkohore dhe hapësira krejtësisht moderne për zhvillimin e procesit mësimor për 600 nxënës të kësaj zone”, tha Muzhaqi.

Muzhaqi u shpreh se “me 27 klasa mësimi, bibliotekë të pasur, laboratorë inteligjentë dhe një palestër të re me një hapësirë prej 391 m2 për zhvillimin e aktiviteteve sportive, kjo shkollë do të krijojë një mjedis të përshtatshëm për forcimin e cilësisë së arsimit, duke mbështetur mësuesit në procesin e mësimdhënies dhe arritjen e rezultateve më të larta për nxënësit”.