Musabelliu: Garancia Rinore, 63 milionë euro për aftësimin dhe punësimin e 40 mijë të rinjve

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, gjatë një takimi në Burrel për prezantimin e Paketave Sociale të qeverisë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot se në vizionin e Partisë Socialiste, shërbimet sociale janë një kurë për simptomat e varfërisë, por punësimi është kura definitive e varfërisë dhe në fokus të politikave të punësimit të MEKI-t është riintegrimi social i familjeve në ndihmë ekonomike.

“Kjo nis me qendrat e formimit profesional, kurrikulat e formimit profesional, të cilat gjatë këtyre viteve janë integruar me sistemin DUAL dhe akredituar, ndaj në kuadër të integrimit në BE diplomat e kurseve të formimit profesional do të njihen kudo në BE. Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit kanë një program shumë specifik për ndërmjetësimin e punësimit të personave me ndihmë ekonomike dhe gjashtë programe të nxitjes së punësimit, të cilat targetojnë gratë në nevojë, kryefamiljaret, të rinjtë”, tha Musabelliu.

Sipa zëvendësministrit të MEKI-t, bursat që jepen në kuadër të formimit profesional janë rritur me mbi tri herë nga viti 2013 deri 2024, duke shkuar nga 1100 që ishin në vitin 2013 në 4200 bursa për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë që vijnë nga familje vulnerabël.

“Garancia Rinore targeton të rinjtë që nuk janë në punësim apo shkollim dhe 40 mijë të rinj do të mbështeten me 63 milionë euro për t’u aftësuar dhe punësuar në vijim”, pohoi ai.