Barcelona fiton betejën me La Liga-n për regjistrimin e lojtarëve Dani Olmo dhe Pau Victor
Barcelona ka arritur një fitore të rëndësishme në mosmarrëveshjen me La Liga-n dhe presidentin e saj, Javier Tebas, lidhur me regjistrimin e Dani Olmos dhe Pau Victor.
Këshilli i Lartë i Sportit në Spanjë (CSD) ka rrëzuar apelimin e La Liga-s dhe Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), duke konfirmuar ligjshmërinë e veprimeve të klubit katalanas.
Çështja lidhej me regjistrimin e lojtarëve për pjesën e dytë të sezonit, me La Liga-n dhe RFEF-në që pretendonin se Barça kishte shkelur kufirin e pagave dhe për këtë arsye lojtarëve duhej t’u refuzohej licenca (federimi).
Megjithatë, CSD vendosi se komiteti që monitoron marrëveshjen RFEF-Liga nuk kishte kompetencë për këtë rast, duke bërë që apeli të shpallej i pavlefshëm.
Në qendër të debatit është një marrëveshje prej 100 milionë eurosh, të cilën Barcelona e siguroi përmes shitjes së vendeve VIP në ‘Camp Nou’. Klubi katalanas e përfshin këtë shumë në bilancin e tij, duke argumentuar se është brenda kufijve financiarë të La Liga-s.
Por Tebas dhe La Liga kundërshtojnë, duke thënë se kjo shumë nuk ishte reflektuar në llogaritë e klubit, gjë që do të përbënte shkelje të rregullave financiare.
Pas këtij vendimi, Barcelona mund të marrë frymë lirisht dhe të përdorë Dani Olmo dhe Pau Victor për pjesën e mbetur të sezonit. Megjithatë, mosmarrëveshja ligjore mund të rihapet sërish gjatë verës.
