Mashtrimi tatimor/ Prokurori nuk tërhiqet, kërkon 4 vjet e 9 muaj burg për Ancelottin

Prokurori, në ditën e dytë të gjyqit ndaj trajnerit të Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar kërkesën për dënimin me 4 vjet e 9 muaj burg për trajnerin për mashtrim tatimor të dyshuar, duke besuar se kjo ishte e “provuar”.

Këtë e kanë raportuar mediat iberike. Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori tha se ekzistenca e "një grupi kompanish" me bazë në Ishujt e Virgjër Britanikë, të dobishme në mbledhjen e honorareve të imazhit nga trajneri tregon "ekzistencën e qartë të një skeme apo strukture mashtruese".

Dje, Ancelotti shpjegoi në deklaratën e tij para gjyqtarëve se ishte Real Madridi ai që propozoi një strukturë pagese në të cilën 15% e shumës do të vinte nga të drejtat e imazhit dhe se ai kurrë nuk mendoi se mund të kishte ndonjë parregullsi apo mashtrim. Gjyqi ka përfunduar dhe tani pritet dënimi nga Gjykata Provinciale e Madridit.