Gjyqi për Maradonën, dëshmojnë ekspertët: Zemër anormalisht e zmadhuar, asnjë gjurmë alk*oli apo dro*e
Në Argjentinë vazhdon procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës.
Sipas mediave lokale, ekspertët që morën pjesë në autopsinë e legjendës argjentinase të futbollit, të cilët dëshmuan në gjyqin kundër 7 punonjësve shëndetësorë të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, kanë deklaruar se Maradona, i ndarë nga jeta më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, kishte një zemër anormalisht të madhe, vuante nga ciroza dhe nuk kishte asnjë gjurmë alkooli apo droge në trupin e tij në momentin e vdekjes.

Sipas raportimeve nga mediat e Amerikës së Jugut, eksperti mjeko-ligjor Alejandro Ezequiel Vega ka deklaruar në gjykatë se zemra e Maradonës ishte "e zmadhuar" dhe peshonte rreth 503 gramë, ndërsa pesha mesatare varion nga 250 deri në 300 gramë. Vega ka shpjeguar se ekzaminimi ka treguar se ish-kampioni vuante nga një "ishemi e zgjatur", me "mungesë të qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit". Autopsia ka konkluduar se Maradona ndërroi jetë për shkak të një edeme pulmonare akute si pasojë e insuficiencës kardiake kongjestive.
Legjenda argjentinase ndërroi jetë në një shtëpi në periferinë e Buenos Airesit, disa ditë pasi iu nënshtrua operacionit për një hematomë të formuar midis kafkës dhe trurit. Sipas akuzës, 7 profesionistët e shëndetësisë të përfshirë në këtë rast, një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, mjekë dhe infermierë, nuk i ofruan kujdesin e duhur, gjë që mund të ketë kontribuar në vdekjen e tij.

