ME VIDEO/ Sherr i ashpër mes Xhakës dhe tifozëve, tensioni në kulm pas eliminimit tronditës nga Kupa

Arminia Bielefeld ka realizuar një surprizë të madhe duke mposhtur Bayer Leverkusen në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë. Kësisoji, ka siguruar një vend në finalen e 24 majit në “Olympiastadion” të Berlinit.

Eliminimi i ekipit të Xabi Alonso, kampion në fuqi i Bundesligës dhe fitues i Kupës sezonin e kaluar, ka shkaktuar zemërim të madh te tifozët, të cilët shpërthyen në protesta të ashpra ndaj lojtarëve. Në qendër të polemikave u gjend Granit Xhaka, i cili nuk nguroi të përballej drejtpërdrejt me tifozët.

Pamjet televizive tregojnë një debat të ashpër mes Xhakës dhe një grupi tifozësh të Bayer Leverkusenit, në tribunat e stadiumit. Mesfushori zviceran iu afrua sektorit ku ndodheshin tifozët dhe pati një përplasje të fortë verbale me disa prej tyre. Tensioni u rrit kur një tifoz i drejtoi gishtin Xhakës, gjë që e acaroi mesfushorin shqiptar, i cili reagoi duke i kërkuar t’i ulë duart dhe të flasë me qetësi.

Pavarësisht përpjekjeve të disa tifozëve të tjerë për ta qetësuar situatën, përplasja mbeti e ashpër. Në një moment, stafi i sigurisë ndërhyri për të ndarë palët dhe shmangur ndonjë eskalim të mëtejshëm të situatës.

Rezultati ishte goditje e rëndë për Leverkusenin, duke marrë parasysh forcën e ekipit të Xabi Alonso në krahasim me Arminia Bielefeld, një skuadër që vjen nga liga e tretë gjermane. Bayer kishte kaluar në avantazh në minutën e 17-të me golin e Jonathan Tah, por më pas pësoi dy gola nga Marius Wörl dhe Maximilian Grosser, duke u gjetur në disavantazh 2-1 që në pjesën e parë.

Xhaka nuk është një lojtar që iu shmanget përplasjeve me tifozët. Gjatë periudhës së tij tek Arsenali (2016-2023), mesfushori pati një incident të ngjashëm në vitin 2019, kur pas fishkëllimave nga tifozët e ekipit londinez, reagoi duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj tyre. Edhe këtë herë, ai tregoi se nuk druhet të përballet me tifozët, megjithëse përplasja nuk kaloi në nivele fizike.