Erion Veliaj drejt 'fundosjes'? Prokuroria paraqet fakte të reja, shtyhet për nesër seanca
Është shtyrë për nesër në orën 12:00, seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë nga kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar një muaj më parë me urdhër të SPAK dhe vendim gjykate.
Seanca është shtyrë pasi SPAK ka paraqitur në seancë prova të reja kundër Erion Veliajt dhe për njohjen me to, avokatët e kryebashkiakut të arrestuar kanë kërkuar kohë.
Gjykata ka vendosur të shtyjë seancën për nesër në mesditë.
Veliaj, për më shumë se një muaj qëndron në paraburgimin e Durrësit, nën akuzën e korrupsionit dhe të pastrimit të parave.
Gjykata nuk ka pranuar sot as avokatin amerikan, i cili kishte deklaruar më herët se kishte ardhur me statusin e vëzhguesit.
Gjatë seancës së sotme, Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Abule, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, kanë ofruar gjithashtu dhe garanci pasurore dhe bllokim të pasaportave në këmbim të lirisë.
Vendimi në Apel do të jepet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.
