Komisioni i Medias vijon dëgjesat me kandidatët për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi sot seancën dëgjimore me kandidatët e tjerë për anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH.
Kryetarja e këtij komisioni, Ina Zhupa tha se “sot do të dëgjojmë 38 kandidatë fizikisht dhe 3 anëtarë në lidhje online për shkak të mosprezencës së tyre në Shqipëri. Më pas do të zhvillojmë seancën dëgjimore për kandidatët për kryetarë dhe në fund përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar dhe kryetar të Këshillit Drejtues”.
Kandidatët për anëtarë të KDRTSH po shprehin përpara anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik objektivat dhe platformën e tyre për detyrën për të cilën kandidojnë.
Zhupa iu drejtua kandidatëve me të njëjtën pyetje pse ata kanë kandiduar për këtë pozicion dhe çfarë do të sjellin ata më shumë për RTSH.
Kandidati për anëtar të Këshillit Drejtues të RTSH-së, Kastriot Çaushi tha se “vij nga një përvojë 27-vjeçare në administrim. Shtyllë e këtij institucioni është informacioni. E shikoj krejt ndryshe këtë konkurrencë të jashtëzakonshme, ku ti hap telefonin dhe ke televizionin përpara është e vështirë që informacioni të jetë ai i shpejti, efikasi etj. Televizioneve shqiptare i është larguar publiku kryesisht artistik. Nuk mundet që televizioni duke marrë parasysh edhe televizionet e tjera të mbahet vetëm me një festival duhet të ketë edhe aktivitete të tjera, arti, kinemaja e mban publikun”.
Një tjetër kandidat, Kristo Thoma theksoi se “jam një nga themeluesit e paketës Sport në paketën digjitale të RTSH-së , një kanal që ka qenë një histori suksesi në mënyrë të padiskutueshme referuar shifrave të shikueshmërisë dhe gjithçka që ka prodhuar këtë eksperiencë. Doja ta shpërndaja në fusha të tjerë që RTSH transmeton. Dua të jem një zë i sportit, gjithçka që e ne kemi krijuar ta rikthejmë sepse ka qenë fantastik dhe i vlen RTSH dhe pse jo për qenë një shembull në transmetimet e tjera. Në Këshillin Drejtues të RTSH do të doja të ishte një zë nga gazetaria sportive”.

