Konsensus për Integrimin! PD-PS votojnë përshpejtimin e negociatave. BE financon lehtësimin e reformave për zgjerimin

Marrëveshja me BE-në për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit ka gjetur dakordësinë e PS dhe PD. Në Komisionin e Integrimin drafti mori votat e të dy palëve përmes të cilit sigurohet financimi me kredi dhe grante

Në ditët e fundit të kësaj legjislature komisionet parlamentare po vijojnë me projektligjet e propozuar që kanë ndikim në procesin e integrimit.

Marrëveshja me BE-në për “Lehtësinë e Reformës dhe Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, duket se ka marrë konsensusin e palëve

Sa i takon marrëveshjes së “facilitetit”, Balla tha se është komplementare me instrumentet ekzistuese të para-anëtarësimit, si IPA, dhe synon të përshpejtojë reformat strukturore të vendit.

“Faciliteti do të mundësojë një financim prej 922 milionë eurosh, nga të cilat 264 milionë euro në formë granti dhe 658 milionë euro si hua, të cilat do të përdoren për mbështetjen e reformave dhe investimeve strategjike përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF),” deklaroi ai.

Përmes saj vendit i sigurohet kredi me interesa të ulëta, por dhe grante.

Ai gjithashtu bëri me dije se Shqipëria ka dorëzuar tashmë kërkesën e parë për disbursimin e 7% të fondeve, në vlerën 64.5 milionë euro, duke hapur rrugën për zbatimin e masave të parashikuara.

Ky program synon forcimin e klimës së biznesit, konkurrencën dhe përshpejtimin e integrimit

Pavarësisht ndasive në këto prag zgjedhjesh, mazhoranca dhe opozita votuan pa vërejtje nismën.