Forcim i bashkëpunimit dixhital me Francën, Rama: Përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së përmes IA shpejton procesin

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në aktivitetin e javës franko-shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, ku vlerësoi forcimin e bashkëpunimit dixhital mes Francës dhe Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje përfitimet që do të ketë Shqipëria nga aplikimi i inteligjencës artificiale në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Kryeministri ishte i pranishëm në aktivitetin e javës Franko-Shqiptare për Inteligjencën Artificiale, Green AI, ku theksoi se Shqipëria ka ecur shumë para në procesin e integrimit europian dhe synon të bëhet anëtare brenda kësaj dekade.

“Kemi një plan shumë ambicioz për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027, një dritare e jashtëzakonshme mundësie për të cilën duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të mos e humbur”, tha kryeministri.

Në këtë drejtim, ai veçoi përdorimin e inteligjencës artificiale, përmes së cilës ecet me një shpejtësi krejt tjetër në këtë proces.

“Vetëm për të transpozuar korpusin ligjor të BE-së, sikur edhe mekanikisht, në korpusin kombëtar legjislativ do të kërkonte një ushtri përkthyesish, hartuesish dhe ligjshkruesish dhe shumë njerëz të tjerë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se për Kroacinë, që në fakt pati një rekord mbresëlënës për të qenë anëtare në BE u deshën 7 vjet.

“Ne duam ta bëjmë më shpejt. Po krijojmë modelin që jo vetë transpozon në kohë reale por na jep pajtueshmërinë me legjislacionin tonë. Po ashtu është e aftë që t’u japë atyre njerëzve që duhet të përgatisin gjithçka për qeverinë dhe parlamentin aftësinë për të parë ngjashmëritë apo mospërputhjet mes asaj çfarë kemi këtu dhe asaj që vjen nga BE”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky është modeli që po zbatohet në Ministrinë e Drejtësisë ku po gërmohet në pirgjet masive të ligjeve për të identifikuar të gjitha mbivendosjet.

“Nuk është fortë e rrallë që diçka që ti meriton ta marrësh nga një ligj nuk e merr dot se një ligj tjetër thotë jo. Kjo është një punë e jashtëzakonshme që po bëhet përmes inteligjencës artificiale”, tha Rama.

Forcim i bashkëpunimit dixhital me Francën, Rama: Përafrimi i

Kryeministri theksoi se “në këtë moment mjaft përcaktues për botën, Europën dhe Shqipërinë ndihemi shumë të inkurajuar nga fakti se po ndajmë këtë rrugëtim me Francën”.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, kryeministri vlerësoi se do të merren ide nga pala franceze për mënyrën si ta çojmë para inovacionin tonë.

“Krenar për atë që kemi bërë deri tani por teknologjia e re dhe mjetet e saj janë një bekim i madh i vendeve më pak të zhvilluara apo atyre në zhvillim sepse mund të na japin instrumentet për të bërë kapërcime të jashtëzakonshme para”, tha Rama.

“Reformimi i administratës publike, shndërrimi i të gjitha proceseve të ndërveprimit me shtetasit që në epokën pa teknologji do të ishin ndryshe dhe do të kishin kërkuar shekuj. Rrugëtimi ynë zë fill praktikisht nga zero kapacitete”, theksoi ai.

Ndërkohë, Rama tha se “sot kemi krijuar një platformë e cila në fakt ka hequr të gjitha zyrat e pritjes së kontaktit me qytetarët shqiptarë”.

“Qytetarët shqiptarë nuk kanë më pse të rrinë radhëve dhe të humbasin një sasi të jashtëzakonshme kohe, energjie por edhe bakshishi, për të marrë një leje, një licencë apo dokument që vërtetojnë nëse janë gjallë. Çdo gjë tani është në internet, numri i përdoruesve është i jashtëzakonshëm sepse shkon shumë përtej numrit të banorëve”, theksoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se shqiptarët jashtë vendit mund të marrin shërbime online nga qeveria dhe administrata për qëllime të marrjes së dokumentacioneve.