''Gjasat janë që Veliaj të qëndrojë në qeli'', Lita: Nëse për kryebashkiakun vendoset masë më e butë, mund të intimidojë gjykatësit e dëshmitarët

Analisti, Lavdrim Lita në një intervistë në Ora News u shpreh se gjasat janë që Erion Veliaj të qëndrojë për një kohë të pacaktuar në qeli.

Lita shtoi se nëse vendoset një masë më e butë për kryebashkiakun si arrest shtëpie apo hetim në gjendje të lirë, Veliaj do ketë sërish hapësira për të intimiduar gjykatësit dhe dëshmitarët.

Lita: Prej paradites së sotme gjyqtari Engert Pëllumbi një gjykatës i Apelit të Posacëm ka marrë në shqyrtim apelimin që kanë bërë avokatët e zotit Veliaj dhe avokatët e zotit Elman Abule dhe 4 biznesmenëve të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje, dosjen Veliaj dhe shpërdorimin e detyrës, korrupsionin aktiv e pasiv dhe fshehjen e pasurisë që i ngarkohet Veliajt dhe për rrjedhojë edhe bashkëpunimin me biznesmenët dhe me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Pritet që gjyqtari Pëllumbi të marri një vendin brenda ditës së sotme pasi ka shqyrtuar të gjitha kërkesat dhe paraqitjen e provave që kanë sjellë avokatët e të arrestuarve.

Por gjasat janë që zoti Veliaj të qëndrojë për një kohë të pacaktuar në qelinë e burgut sepse gjyqtari Pëllumbi është shumë i rreptë.

Veliaj është treguar agresiv ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve me akuza personale për ta dhe sigurisht që nëse kjo qasje do të bëhet edhe me një masë më të butë, pra masa e arrestit në shtëpi apo hetim në gjendje të lirë do të thotë që ai do ketë prap hapësira për të intimiduar jo vetëm prokurorët dhe gjykatësit por edhe dëshmitarët që janë shumë të rëndësishëm për procesin dhe në këtë fazë të hetimit.

Mendoj se garancia që gjykata duhet të japë për dëshmitarët dhe institucionet do të jetë primare kundrejt kërkesës së zotit Veliaj i cili jo vetëm që nuk është penduar dhe nuk është treguar bashkëpunues me organet e hetimit por ka kaluar në një fazë reaksionare.