E përplasi me makinë dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet inspektori i policisë në Korçë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë, Inspektor J. R., i cili mban detyrën e Oficerit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë. Ai dyshohet për veprat penale “Mosdhënia ndihmë”, “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndalimi i Inspektorit R. u bë pas një incidenti të ndodhur më 03/03/2025, kur ai, duke drejtuar mjetin e tij në aksin Hoçisht - Bilisht, është përfshirë në një aksident rrugor që ka shkaktuar plagosjen e shtetasit D. GJ. Ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e nevojshme të aksidentuarit dhe pa njoftuar organet e rendit për ngjarjen.

Si pasojë e aksidentit, shtetasi D. GJ. ka marrë plagë dhe është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka filluar hetimet për këtë ngjarje dhe ka ndërmarrë masat për ndalimin e punonjësit të policisë, duke u angazhuar për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti dhe për siguruar përgjegjësinë e atij që ka shkelur detyrat dhe ligjin.