Rama vijon fushatën me ministret nëpër Tiranë: S’ka pasur asnjëherë që një ministër të merret nga një prokuror dhe të ...

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste solli sot në vëmendje përfitimet që do të ketë vendi nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, të cilat siç tha ai, përkthehen në më shumë fonde për zhvillimin e infrastrukturës, bujqësisë apo në arsim.

Në takimin e zhvilluar sot me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 të Tiranës, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, ndërsa renditi përfitimet e vendit nga anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Nëse ne kemi bërë të gjitha këto vepra infrastrukturore, me anëtarësimin në BE mundësitë për të zhvilluar infrastrukturën shumëfishohen sa hap e mbyll sytë. Nëse kemi bërë çmos për bujqit e fermerët, mundësitë për ta shumëfishohen nëse hyjmë në BE”, tha Rama.

Rama tha se nëse ne duhet të kapim trenin e zhvillimit dhe t’i kemi universitetet tona të të njëjtit nivel me atë të BE-së është e pamundur nëse nuk futemi në BE.

“E njëjta gjë vlen për të gjitha fushat. Fondet e BE-së janë të pagjetshme dhe të pasigurueshme askund tjetër nëse nuk je anëtar i asaj familje. Është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në në familje shumë të madhe pasi ke qenë jetim.

Ky është 11 maji për fëmijët tanë dhe të gjithë ata që janë ende sot aktivë sepse na duhet viti 2026 dhe viti 2027 për të mbyllur negociatat dhe për të futur Shqipërinë në BE. Në momentin që bëhet ratifikimi i parë mund të shkojmë te çdo monument dhe t’i themi u bë kjo punë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se është e papranueshme t’i kemi fëmijët e këtij vendi me statusin aktual dhe jo atë të qytetarëve europianë.

Ndaj sipas tij, “zgjedhjet e 11majit janë historike për Shqipërinë, pasi PS duhet ta përmbushë këtë mision”.

“Ky mision është pa asnjë ekzagjerim ngritja e dytë e flamurit kombëtar. Herën e parë u ngriti për t’u pavarësuar e bërë shtet më vete, këtë herë na jepet ne mundësia që ta ngremë flamurin për t’u bashkuar njëherë e mirë me Europën nga e cila na mbajtën të ndarë shekujt”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, do t’i japë njëherë e mirë të gjithë brezave të ardhshëm disa garanci që përndryshe nuk ia jep dot askush përveçse në BE.

“Këto janë liria individuale e panegociueshme dhe e paprekshme, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para ligjit dhe standardet demokratike të bashkëjetesës. Këto vetëm në BE janë të garantuara. BE ka dy kategori vendesh, vendet kontribuese më të zhvilluara e të pasura që paguajnë për të tjerët dhe vendet përfituese që janë vendet e reja që marrin nga arka e përbashkët që të avancojnë e të bëhen si të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se është një familje shtetesh dhe kjo është arsyeja pse vendet që kanë hyrë pas komunizmit janë sot më të zhvilluara.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në një takim të zhvilluar sot me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 në kryeqytet, tha se PS është e para forcë në pushtet në Shqipëri, që i ka hequr pushtetit politik duart nga drejtësia.

“Kjo sepse kemi dashur që më në fund Shqipëria të futej në sprovën e një drejtësie të pavarur që nuk e ka pasur kurrë dhe që të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh”, tha Rama.

Rama theksoi se “qëllimi ynë nuk ka qenë asnjëherë se si të mbajmë pushtetin dhe si mbulojmë njeri-tjetrin dhe si të përsërisim me fytyra të tjera, ngjyra të tjera, në një kohë tjetër të njëjtën histori”.

Por, Rama tha se qëllimi i PS-së ka qenë dhe mbetet të bëjë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe duke i dhënë një shans brezave që vijnë mbrapa të kenë drejtësi të pavarur.

“Nuk e ka pasur kurrë Shqipëria nga vitit 1912  deri në 2009 një rast të vetëm që një ministër, një njeri me pushtet të merret nga një prokuror e gjykatës i pavarur, që të hetohet e gjykohet, lëre pastaj të bëhet telenovelë në të gjitha llojet e medieve edhe të linçohet, në ndonjë rast pa gjyq duke qenë i zgjedhur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë proces ka gjëra që nuk shkojnë fare, ndërsa shtoi se “ne duam drejtësi europiane dhe jo si në Rusi”.

“Për 5 vjet, unë i pari dhe gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët e mbyllur gojën, sepse pavarësia ka qenë kryesorja për të na garantuar pavarësinë. Por nuk është vetëm pavarësia është edhe profesionalizmi, edhe standardi demokratik. Ne duam drejtësi europiane jo si në Rusi, me vendim të formës së prerë jo me paraburgim, pa gjyq”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se kjo është një betejë që socialistët e kanë barrë ta bëjnë, por duke garantuar vazhdimësinë, pavarësinë, paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Një parti si e jona, që dy mandate ka qeverisur e vetme, që i thotë drejtësisë: “Dil e pavarur dhe ja ku më ke dhe ha trupin tim nuk ka problem, rëndësi ka që të gjithë të bëhen të barabartë para ligjit, edhe sikur ti të kafshosh gabimisht”. Por kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi, megjithatë nuk ka një rrugë tjetër”, tha Kryeministri.

Ndërsa theksoi se barra e provës i takon atij që akuzon jo, atij që akuzohet, Rama solli në vëmendje edhe parimi se të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet dikush i fajshëm.

“Nuk është parimi ‘të gjithë janë të fajshëm’, se këtu është bërë ‘të gjithë janë hajdutë, kriminelë’ e kështu e me radhë. Nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur, nuk na mundin dot dhe sot ulërasin lloj-lloj speciesh të kënetës politike dhe mediatike që ne po kërcënojmë SPAK, jemi rrezik për SPAK”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama tha se “bufi i kënetës”, me zhabat dhe zhapikët e vet, vazhdon çon denoncime te SPAK.

“Nëse drejtësia është ndëshkim dhe tek shpata rolin kryesor e ka Prokuroria, por drejtësia nuk është vetëm shpatë, është edhe peshore. Dhe Zonja e Drejtësisë, që është simboli i vjetër i drejtësisë, sytë i ka fashuar sepse duhet që drejtësia të jetë e verbër, në kuptimin që nuk duhet të shohë kush është më i gjatë e më i shkurtër, statusin social më të lartë e më të ulët. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka se ia dhamë. Ishte shpata me të cilën pushteti i rrinte mbi kokë drejtësisë. Ne nuk kemi shpatë. Drejtësia e ka shpatën por duhet edhe peshorja, duhen edhe sytë e mbuluar”, tha Rama, teksa komentoi sërish figurën simbolike të drejtësisë.