Deputeti i PS-së: Më 11 maj, Diaspora do të skanojë politikën shqiptare të 35 viteve të fundit me votën e saj
Për deputetin socialist Lavdrim Krashi, demokracia shqiptare është ende shumë larg standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët.
Teksa foli në një lidhje skype nga Kuvendi i Shqipërisë në studion e lajmeve në “Ora News”, ligjvënësi që vjen nga radhët e disporës foli mbi procesin zgjedhor për garën elektorale të 11 majit.
“Puna e çdo deputeti sot në Kuvend ishte për të votuar një akt normativ që ka të bëjë me shtyrjen e afateve për dokumentet biometrike të të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Jemi në situatën kur çerek milioni qytetarësh kanë shprehur dëshirën për të votuar më 11 maj, dhe do të ishte tradhti ndaj tyre nëse ky akt nuk do të miratohet sot në Kuvend.
Është një diçka që ka rreth 30-35 vite që aplikohet në Shqipëri dhe demokracia shqiptare është ende shumë larg standardeve, por le të shresojmë se kjo do të ndryshojë edhe falë atyre 250 mijë shqiptarëve nga Diaspora që do të votojnë më 11 maj, duke ndikuar në mënyrë direkte duke i bërë presion politikës së papërgjegjshme shqiptare se është mungesë etike të largohesh nga parlamenti dhe duke mos folur për gjërat e parashikuara në agjendë parlamentare.
Mesazhi i Diasporës shqiptare në 11 maj do të jetë shumë i ngjashëm me atë të SPAK-ut sot, duke dënuar me votë shfaqjet e shëmtuara të korrupsionit”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETIN SOCIALIST LAVDRIM KRASHI NË “ORA NEWS”


