Meta qëndron në qeli, Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së

Gjykata e Lartë vendosi sot të lërë në burg, Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Meta bëri rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke theksuar se “po i pengohej karriera politike dhe zhvillimi i fushatës elektorale”, teksa për dy muaj mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas paraqitjes së argumenteve nga pala mbrojtëse, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Meta u vu në pranga me urdhër të SPAK më 21 tetor 2024. Ai akuzohet për 3 vepra penale, “Korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk ndryshoi as masën e sigurisë për deputeten e Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi duke e lënë me masën detyrim paraqitje të vënë nga GJKKO.