Strasburgu i Thoma Gëllçit që “vret” Erion Veliajn

Kryeministri Rama njoftoi dje “fitoren” e madhe të Thoma Gëllçit në Strasburg. “Fitoren” e shkruam jo pa qëllim në thonjëza sepse nuk ka një të tillë.
Në fakt po të lexohet me kujdes vendimi i Strasburgut që e keni më poshtë dhe ne e kemi marrë nga “shqiptarja.com”, vendimi në vetvete, por dhe mendimi i juristëve profesionistë, është se Thoma Gëllçi, së pari, nuk ka fituar pafajësinë.
Së dyti, ka disa detaje brenda atij vendimi:
A-Pjesëmarrja e një gjyqtari shqiptar kur shqyrtohet një çështje për Shqipërinë. Ç’punë ka? Mos vallë është investuar dikush tjetër te ky individ?
B-Tjetra është fakti a ka qenë aktive Avokatura e Shtetit për të mbrojtur Shqipërinë, për të mbrojtur prokurorët, për të mbrojtur veprimet, vendimet ligjore të marra nga institucionet shqiptare. Se duket totalisht pasive.
Pra, përtej këtyre dyshimeve se mund të ketë dhe ndërhyrje deri në Strasburg apo që vendimi i Thoma Gëllçit të jetë përshpejtuar me një qëllim të caktuar për t’u përdorur si armë në mbrojtje të kryebashkiakut Erion Veliaj, në detaje po të lexosh vendimin ai thjesht “vret” arsyen për të cilën po e përdor kryeministri.
Edi Rama kërkoi që të mos ketë arreste me burg, por vendimi i Strasburgut për Thoma Gëllçin e legjitimon masën e sigurisë arrest me burg dhe për vepra penale si shpërdorimi i detyrës, e cila deri tani në vendimet e dhëna nga Gjykata ka qenë një apo deri në 2 vjet heqje lirie.
Pra legjitimohet. Ajo që ka thënë Strasburgu është t’i jepen Thoma Gëllçit një shumë e vogël parash një pjesë tjetër të paguajnë shpenzime dhe po të lexosh sërish vendimin qartë ai legjitimon arrestin e Thomait.
Në rastin e Thoma Gëllçit që po përdoret si shpatë për t’i dhënë një lloj mbulese dhe për të krijuar një propagandë kundër SPAK-ut dhe kundër Gjykatës pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës.
Erion Veliaj nuk është në fakt për “shpërdorim detyre” që ka legjitimuar Strasburgu në rastin e Thoma Gëllçit, por Erion Veliaj ka dy vepra të tjera, ka korrupsionin dhe pastrimin e produktit të veprës penale.
Pra, vepra penale që kryebashkiaku i Tiranës rrezikon deri në 15 vjet heqje lirie. Këtu jemi të qartë përballë faktit, që dikush mund të ketë stimuluar dhe ndërhyrë deri në Strasburg për të nxjerrë një vendim për Thoma Gëllçin dhe për ta përdorur atë si propagandë kundër institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Në fakt, vendimi i Strasburgut, megjithëse mund të ketë qenë edhe paksa i shpuar nga Tirana zyrtare, në finale ka “pushkatuar” propagandën, ka “pushkatuar” qëndrimin që ka mbajtur vetë kryeministri Edi Rama sepse ai vendim nga Strasburgu legjitimon arrestin me burg në rastin e “shpërdorimit të detyrës” dhe jo më për veprat më të rënda penale të cilat parashikohen për Erion Veliajn, prandaj është i ligjshëm arrestimi edhe i Erion Veliajt, edhe i Thoma Gëllçit.
Por vendimi i Strasburgut e ka goditur, po themi, “Shteti shqiptar vetëm për zgjatjen e afatit të paraburgimit”.
Pra gjatë zgjatjes së afatit të paraburgimit prokurorët duhet të gjenin prova të tjera, duhet të mbushnin me veprime këtë zgjatje të paraburgimit, kur në fakt kjo nuk ka ndodhur për këtë arsye, pra ekzaktësisht për zgjatjen e afatit të paraburgimit me një muaj, jo për arrestimin.
Arrestimi është quajtur i ligjshëm nga Strasburgu edhe për Thoma Gëllçin. Arrestimi i Thoma Gëllçit dhe vendimi i Strasburgut po përdoret si propagandë pro Erion Veliajt kur në fakt është krejtësisht e kundërta, vendimi i Strasburgut e “legjitimon” arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës ashtu siç ka “legjitimuar” dhe arrestimin e Thoma Gëllçit./ CNA.al


