Gjiknuri-opozitës: Po kërkoni alibinë për humbjen e radhës, nuk votohet me dokumente të huaja
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, njëheraz Sekretar i Organizimit dhe Zgjedhjeve në këtë pari, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha sot se opozita po kërkon alibinë për humbjen e radhës në 11 maj, me kërkesën që të shtyhet afati i regjistrimit edhe për shqiptarët brenda Shqipërisë apo për dokumentet e skaduara të identifikimit për shtetasit brenda vendit.
“Me kërkesën e opozitës, qeveria reagoi për një shqetësim që ata vetë e ngritën me kohë. Më duket si ajo shprehja e “Ushtarit të mirë Shvejk”, “ç’më duhet mua, ç’bëj unë”! Sepse e kërkuan vetë, thanë që ka shumë shtetas të papajisur me dokumente identifikimi. Që para tetë muajsh, kemi kaluar aktin rregullator në KQZ e kemi ditur që një pjesë e shtetasve nuk kanë dokumente”, u shpreh ai.
“Kanë kërkuar vetë që ata të regjistrohen edhe pa pasur dokumente dhe KQZ me akte rregullatore e sanksionoi këtë të drejtë, edhe ata janë regjistruar. Nuk është e vërtetë që po u mohohet e drejta për të votuar se janë me vonesë. Kush nuk ka pasur një dokument të vlefshëm sipas udhëzimit të KQZ, në tetor 2024 ka qenë e shkruar qartë që ai ka të drejtë të regjistrohet në listën e zgjedhësve”, tha ai.
“Sepse qeveria pasi erdhi kërkesa e KQZ menjëherë reagoi, nxori Aktin Normativ që të zgjasë dokumentet e shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Sepse është gjëja më normale, ata e kanë të pamundur të pajisen me dokumente identifikimi, sepse nuk kanë kohë, kanë jetuar jashtë, një pjesë e tyre nuk e kanë pasur të nevojshme të kenë një dokument shqiptar. Prandaj, qeveria shqiptare thotë që ju që jeni jashtë dhe doni të votoni me dokumente të skaduara keni të drejtë të votoni”, tha Gjiknuri.
Deputeti socialist, u ndal edhe te kërkesa e opozitës për të shtyrë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit edhe për shqiptarët që do të votojnë në Shqipëri, gjë të cilën Gjiknuri e quajti një “absurditet të madh”.
“Për çfarë bëhen këto dokumente? Ka një afat skadimi. E kemi shtyrë çdo palë zgjedhje, shtyjmë dokumente. Ne marrim kritika nga Bashkimi Evropian dhe nga institucione që kemi marrëveshje. Dokumenti i ID nuk është bërë që ta bësh e ta kesh aty gjithë jetën, njëherë në 10 vjet duhet të rinovohet. Nuk ka kosto të madhe, nuk ka fluks, zyrat janë bosh. 500 e ca mijë njerëz që i kanë të skaduara, por pjesa më e madhe e tyre janë jashtë, sepse në Shqipëri nuk bën dot asnjë veprim pa një dokument identifikimi të vlefshëm. Formaliteti që ka pësuar ekonomia shqiptare, formalizimi i shumë veprimeve, shërbimet publike në e-Albania kërkojnë dokumentet e identifikimit”, pohoi Gjiknuri.
“Kush janë kategoritë? Pensionistët, kanë dokument sepse marrin pensionet, 800 mijë, këta që marrin ndihmë ekonomike, 100 mijë të tjerë, të punësuarit në privat apo në sektorin publik, kanë, ata që se kanë ta marrin se kanë tre muaj kohë. Kush qenkan këta që s’kanë mundësi dhe janë të diskriminuar? Ku jetojnë këta, nëpër pyje? Ai që nuk e ka pasur mundësinë ta marri, e ka kohën ta marri, për ata në diasporë jam dakord se nuk e kanë pasur të nevojshme. Nuk ka asnjë shtetas shqiptar që aplikon sot dhe të mos e marrë letërnjoftimin për një javë apo 10 ditë”, shtoi deputeti socialist.
Gjiknuri theksoi se e gjithë kjo logjikë, është një alibi për humbjen që e pret opozitën sipas tij në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa procesi i regjistrimit në KQZ për shqiptarët e diasporës po shkon shumë mirë dhe pritshmëritë për pjesëmarrje dhe votim në këto zgjedhje janë shumë të mira.
“Kjo logjikë zhveikjane nuk bën, nëse ju duhet për alibi hajde t’ju jap këshilla të tjera më të bukura. Procesi i regjistrimit po ecën goxha mirë, kemi një shifër që asnjë nuk e mendonte, kjo tregon se shqiptarët që duan të votojnë kanë interes për politikën shqiptare dhe këtu kanë meritë të gjitha palët për sensibilizimin që u kanë bërë të gjithëve, e kanë mundësinë të votojnë dhe ka gjasa të ketë një pjesëmarrje të mirë në zgjedhje, gjë që nuk ka ndodhur me vende të tjera”, përfundoi Gjiknuri.
