Musiala: Në Champions nuk ka asgjë të sigurt, ndaj Celtic të fitojmë edhe në shtëpi

Bayern Munich do të luajë sot ndeshjen e kthimit të “play off”-it në Champions League, atë ndaj Celtics.

Bavarezët fituan 2-1 në sfidën e parë, por për talentin e Bayern, Jamal Musiala, asgjë nuk është e sigurt.

Ai theksoi se skuadra ka nxjerrë mësime nga ndeshja e vështirë ndaj Bayer Leverkusen të shtunën e kaluar.

“Ne folëm për këtë, kishim shumë zotërim këtë sezon.

Nuk kishim përjetuar kurrë një situatë si ajo kundër Leverkusen, ku duhej të mbroheshim kaq shumë. Ishte një përvojë e rëndësishme, herët a vonë duhej të ndodhte.

Ndaj, ne mund të mësojmë dhe t’i marrim këto mësime në ndeshjet e ardhshme”, tha Musiala.

21-vjeçari, i cili së fundmi zgjati kontratën me klubin bavarez deri në vitin 2030, shtoi: “Atmosfera është pozitive. Ndaj Celtic nuk do të jetë një lojë e lehtë, e pamë se si ishte në Glasgow.

Duhet të përgatitemi mirë, të sigurohemi që të jemi të freskët dhe të gatshëm mendërisht.

Duhet të jemi 100% të përqendruar, të fillojmë fuqishëm që në minutën e parë dhe të synojmë fitoren.

Ne nuk duam të justifikojmë. Po i shfrytëzojmë këto ditë për t’u përgatitur sa më mirë dhe sot do të duhet të japim gjithçka kemi.

Aftësia për të luftuar dhe mos pësuar gol janë cilësi themelore nëse duam të shkojmë larg”, shtoi Musiala.