Shtyhet ndeshja e Messit, në dyshim siguria e lojtarëve!

CONCACAF njoftoi sot se ndeshja e parë e serisë midis Sporting Kansas City dhe Inter Miami-t, në raundin e parë të CONCACAF Champions Cup 2025 është riprogramuar për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, të cilat pritet të ndikojnë në zonën metropolitane të Kansas City gjatë 24 orëve të ardhshme, duke përfshirë një akumulim të konsiderueshëm dëbore.

Ndeshja në ‘Children's Mercy Park’, e planifikuar fillimisht për 18 shkurt, do të zhvillohet një ditë më pas, pra të mërkurën, më 19 shkurt. Vendimi për të shtyrë ndeshjen u mor për të vënë në plan të parë sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve, në koordinim të ngushtë me të dy klubet pjesëmarrëse dhe autoritetet lokale.

Në zonën e Kansas City po regjistrohen temperatura ekstreme, duke arritur deri në -15 gradë Celsius, si dhe reshje të mëdha dëbore.