KOSOVA VOTON/ Problematikat dhe pjesëmarrja deri në këto momente në zgjedhjet parlamentare
Në zgjedhjet e sotme parlamentare që po mbahen në Kosovë, 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendësh.
20 nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat 10 janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë 6 subjekte politike.
Mbi 940 qendra votimi do të jenë të hapura deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës u janë bashkuar vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që do të ndjekin nga afër procesin e votimeve.
Mbi gjysmë milioni qytetarë kanë votuar deri në ora 15:00
Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare vazhdon të zhvillohet në vend, dhe deri në orën 15:00, numri i votuesve që kanë marrë pjesë ka arritur në 534,210, që përfaqëson 27.10 përqind të totalit të votuesve.
Ky informacion është bërë i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka ndarë këto të dhëna për të mbajtur qytetarët të informuar në lidhje me zhvillimet e procesit zgjedhor.
DnV raporton për disa probleme gjatë procesit të votimit
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka raportuar për disa probleme gjatë procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare.
Eugen Cakolli nga DnV tha se votuesit kanë deklaruar se ngjyra matrikuluese po fshihet lehtësisht nga gishtërinjtë e tyre dhe kjo çështje sipas tij mund t’i japë rrugë votimit të dyfishtë.
Një gjë e tillë, sipas Cakollit, “do minonte besimin e publikut, por edhe integritetin zgjedhor”.
Në konferencën për media, Cakolli tha se ka disa mekanizma që sigurohet që votuesit të mos votojnë dy herë, por theksoi se “problemi te fakti fshirja e lehtë e ngjyrës matrikuluese mund të krijojë perceptim qytetarë procesi nuk ka qenë i rregullt dhe mund të ketë pasur raste të tilla”.
KQZ-ja në dy konferencat e mbajtura deri më tani nuk ka adresuar problemin e ngritur nga vëzhguesit sa i përket ngjyrës matrikuluese.
Gjatë konferencës, DnV-ja tha se ka vërejtur edhe probleme të tjera gjatë procesit zgjedhor, që tha se nuk dëmtojnë integritetin e zgjedhje.
Problemi më i theksuar gjatë procesit të votimit deri në mesditë, sipas Cakollit është mosgjetja e emrave të votuesve në listat e votuesve.
DnV ka 500 vëzhgues në mbarë vendin dhe Cakolli tha se janë vërejtur edhe probleme kur nuk është regjistruar që një votuesit i është ofruar asistencë me votim.
Po ashtu, ndonëse në një nivel dukshëm më të vogël, Cakolli tha se edhe në këto zgjedhje fenomeni i fotografimit të votës është prezent dhe thanë se raste të izoluara të fotografimit të votave janë regjistruar në 4 për qind të vendvotimeve.
Cakolli po ashtu u shpreh kritik për çështjen e vendosjes së kabinave të votimit. Ai tha se në mëngjes kabinat u vendosën sipas rregullave, por vëzhguesit më pas kanë hasur në raste kur persona të identifikuar si staf i KQZ-së kanë kërkuar që kabinat të vendosen përballë njëra-tjetrës, që sipas tij përbën shkelje të privatësisë.
Votimi nga diaspora, 75.54% e qytetarëve votuan në përfaqësitë diplomatike, mbi 50 mijë pako përmes postës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në konferencën e radhës ka bërë të ditur se ka nisur verifikimi i votave të ardhura nga diaspora përmes postës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur gjithashtu edhe numrin e qytetarëve në diasporë që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike.
“Siç e kemi përmendur disa herë gjatë procesit të regjistrimit të votuesve nga 104 mijë e 924 votues, 84 mijë e 600 kanë përzgjedhur mënyrën e votimit përmes postës dhe 20 mijë e 324 kanë qenë të regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike. Lidhur me votimin në përfaqësitë diplomatike që u përmbyll gjatë ditës së djeshme ju njoftojmë se nga 20 mijë e 324 votues që ishin regjistruar për këtë mënyrë votimi në 30 përfaqësitë e Republikës së Kosovës kanë votuar 15 mijë e 352 votues apo 75.54%”, ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se sa i përket pjesës tjetër të votimit përmes postës ky proces gjithashtu është mbyllur dje.
“Nga informacionet që kemi nga Posta respektivisht për tetë kutitë postare nga Gjermania, Zvicra, Turqia, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga posta e KQZ-së në Kosovë numri pakove që janë pranuar në këto kuti postare është 50 mijë e 226, por ky numër nuk është përfundimtar pasi që të dhënat nuk janë nga të gjitha kutitë postare”, tha Elezi.
Elezi theksoi se këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të verifikimit nëse i takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.
Ai shtoi se numërimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).




