Votimi nga jashtë/ KQZ: 151 949 regjistrime, 95 526 kërkesa të miratuara

Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 151 949, ndërsa deri sot në orën 09:50 janë miratuar 95 526 kërkesa.

Sipas të dhënave janë refuzuar 54 857 kërkesa, por këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë.

Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 90 397 (59,5%) kërkesa, ndërsa femrat janë 61 552 (40,5%).

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës.

Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 57 762, e ndjekur nga Greqia me 41 102, Gjermania me 18 023, si dhe nga SHBA me 10 900.

Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për qarkun e Tiranës me 29 456, më pas vijnë qarqet Fier me 21 028, Korçë me 16 053, Durrës me 15 713 etj.