Xhixho: Vota e emigrantëve do të jetë ndëshkuese për qeverinë, ndaj është dyndur në krijimin e patronazhimit

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në një intervistë për “Ora News” komentoi organizimin e opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe koalicionin e përbashkët mes PL-së dhe PD-së.

Xhixho theksoi se Partia e Lirisë është në një koalicion opozitar me Partinë Demokratike dhe kemi qenë bashkë në zgjedhjet lokale të 2023-it dhe ato parlamentare të 2021-it.

“Dhe tashmë jemi bashkë sërish duke na bashkuar një kauzë shumë e madhe që është fitorja e opozitës në zgjedhjet e 11 majit, si një domosdoshmëri për vendin.

Në kushtet ku ne jemi një autokraci, ku ka një keqqeverisje të jashtëzakonshme, një rrënim ekonomik.

Banka Botërore thekson se Shqipëria është vendi më i varfër dhe që ekonomia është e përqëndruar tek një grusht njerëzish, klientë pranë qeverisë, ndërkohë që pjesa tjetër e popullsisë jeton në një varfëri ekstreme.

Në kohën kur kjo mazhorancë është në një korrupsion galopant, duke filluar nga një sërë aferash si e incineratorëve, “5D”-ja, Check-Up-it, sterilizimit dhe të gjithë denoncimeve që në fakt i evidentoi edhe ish-zv.kryeministri Ahmetaj dhe opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor, kjo u hodh poshtë nga kjo mazhorancë me forcën e kartonit që në fakt është një e drejtë kushtetuese.

Për të mos folur më pas për emigracionin masiv të trurit të vendit, ku 1 në 3 persona e shikojnë veten larg këtij vendi”, theksoi ndër të tjera, Erisa Xhixho.

Deputetja e PL-së komentoi edhe pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e 11 majit.

“PL-ja ka qenë në mbështetje të votës së emigrantëve që në krijimin e saj. Procesi ka pasur problematika, pasi nëse e shikon me vëmendje qeveria është dyndur në krijimin e patronazhimit, sepse e ndjen frikën e votës së emigrantëve.

Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë një qytetar nuk ikën me dëshirë, por janë detyruar nga kjo qeveri për t’u larguar, pikërisht nga mospasja e një mundësie për krijimin e një jete normale në Shqipëri, për të pasur një sistem arsimor dhe shumë çifte janë larguar për mospasjen e shërbimeve bazike.

Prandaj paniku i saj ka bërë që qeveria të shkelë ligjin e trupit diplomatik duke i përfshirë ambasadorët në takimet politike dhe elektorale, ndaj emigrantët të regjistrohen të gjithë dhe të marrin pjesë pasivisht në këto zgjedhje”, theksoi Erisa Xhixho.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME DEPUTETEN ERISA XHIXHO