"E gabuar që përdorin termin 'Diasporë'/ Daci: E dini ju që në 34 vite as përfaqësuesit tonë diplomatikë nuk kanë votuar për shtetin e tyre?

Politika është me sytë nga Diaspora dhe emigrantët që regjistrohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku deri tani nga rreth 120 mijë kërkesa për të votuar, një pjesë e madhe prej tyre janë refuzuar.

Për të folur për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News', nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype" ishte avokati Alban Daci.

"Që të flasësh për diasporën minimalisht duhet të kesh jetuar si emigrant. Gjëja më e gabuar që vazhdojnë ta përdorin është termi diasporë. Ne kemi emigrantë nga shteti, nuk kemi diasporë. Diaspora janë vetëm në SHBA, Turqi dhe në vendet arabe. Ne jemi akoma brezi i parë, maksimumi i dyti në Itali.

Termi diasporë është një tendencë për ti larguar shqiptarët që jetojnë jashtë në lidhjen e ngushtë natyrale me vendin e tyre. Pra, duhet të ishte termi i saktë dhe duhet të ishte aprovuar ligji për shqiptarët që jetojnë jashtë, qoftë edhe për arsye shëndetësore, angazhime profesionale.

E dini ju që në 34 vite as përfaqësuesit tonë diplomatikë nuk kanë votuar për shtetin e tyre sepse nuk mund të votonin? Duhet të votojë çdo njeri që është jashtë, vetëm me pasaportë ose Kartë identiteti sepse kjo është lidhja juridike e shtetësisë në vendin e tij. Nuk do të kishte nevojë për asnjë lloj aplikacioni", u shpreh Daci.