Bushkolaj: Besoj që KQZ është i vetmi mjet që ka mazhoranca në dorë për të penguar transparencën e votës së Diasporës

Politika është me sytë nga Diaspora dhe emigrantët që regjistrohen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku deri tani nga rreth 120 mijë kërkesa për të votuar, një pjesë e madhe prej tyre janë refuzuar.

Për të folur për këtë temë, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte gazetari Elkier Bushkolaj.

"Është numër i madh emigrantësh që përkon me ato që kanë vite që jetojnë në Itali, për shembull emigrantët e viteve 90 dhe veçanërisht ato që janë në SHBA dhe Kanada të cilët vijnë shumë rrallë në Shqipëri për të pasur mundësinë për të rinovuar dokumentat.

Besoj që vota e tyre do të ishte shumë efikase në raport me këtë zgjedhje pasi jemi në një kohë ku e gjithë vëmendja është përqëndruar në Diasporë.

Besoj që KQZ është i vetmi mjet që sot ka mazhoranca në dorë për të penguar transparencën e votës së Diasporës.

Pse e them këtë? E para, këto shantazhet e administratës kam përshtypjen që atje nuk do të kenë shumë efekt pasi një emigrant në Itali apo në vendet e BE-së, nuk e koncepton dot kur familjari nga Shqipëria e merr dhe i thotë që ti duhet të plotësosh një formular patronazhimi, madje të japësh dhe kodin që je regjistruar në KQZ", u shpreh Bushkolaj.