Balluku në Lushnjë: Rehabilitim i plotë i segmentit Lifaj i Ri-Unaza Bujqësore, ndihmë bujqësisë në zonë
Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në Lushnjë ku inspektoi vijimin e punimeve për rehabilitimin e plotë të segmentit rrugor Lifaj i Ri-Unaza Bujqësore.
Balluku theksoi se kjo është një ndërhyrje e cila iu shërben banorëve dhe fermerëve të zonës. Zv/kryeministrja u shpreh se ky është një investim shumë i rëndësishëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
“Kjo është një rrugë e cila do të ndihmojë zhvillimin bujqësor të të gjithë zonës, duke e ditur dhe duke e njohur shumë mirë që Krutja është një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të qarkut më të rëndësishëm bujqësor të vendit tonë, të qarkut Fier”, tha Balluku.
Sipas saj, në fillim të pranverës, ky segment i rëndësishëm për banorët, e veçanërisht për lehtësimin e fermerëve, do të jetë gati brenda parametrave dhe standardeve të parashikuara.
“Do të vijojmë të ndërhymë kudo, për të qenë sa më pranë banorëve e njerëzve të punës, kudo ku ata jetojnë”, u shpreh Balluku.
