Milani ‘zien nga brenda’, por klubi i jep besim trajnerit Conceição

Zërat e mëngjesit të kësaj të premteje që sugjeronin probleme serioze për Sergio Conceição-n në stolin e Milanit, shtynë drejtuesit e klubit të ndërhynin me një deklaratë të qartë: trajneri portugez nuk është në diskutim.

Klubi ka besim maksimal tek ai dhe, për rrjedhojë, edhe nëse rezultati në derbi nuk do të jetë pozitiv, nuk do të jetë ndeshja e tij e fundit në pankinën kuqezi.

Milan nuk përfshin trajnerin në "revolucionin" e brendshëm

Humbja e rëndë në Zagreb sigurisht që ka lënë gjurmë, por nuk ka çuar në vendime drastike për drejtimin teknik.

Megjithatë, tensionet mes lojtarëve dhe trajnerit mbeten një çështje shqetësuese. Sipas ‘La Repubblica’, të enjten pasdite e gjithë skuadra u mblodh në Milanello për një takim me drejtuesit Furlani, Moncada dhe Ibrahimovic për të diskutuar mbi situatën.

Nga ky takim duket se dolën në pah disa përçarje të rëndësishme.

Një nga më të pakënaqurit është Álvaro Morata, i cili pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Dinamos së Zagrebit ka pasur një debat të fortë me Conceição-n.

Në fakt, që në fillim të aventurës së portugezit te Milani, sulmuesi spanjoll kishte kërkuar largimin nga klubi, gjë që vuri në dyshim strategjinë e merkatos së verës. Përveç tij, edhe Emerson Royal dhe Pavlović kanë qenë shumë pranë largimit drejt Turqisë.

Por Morata nuk është i vetmi që nuk ndihet mirë me metodën e trajnerit. Theo Hernández ka pasur gjithashtu rezerva ndaj qasjes së Conceição-s, sidomos për tonin e tij të lartë gjatë analizave teknike, por për momentin ka vendosur të qëndrojë.

Edhe Christian Pulisic ka lënë të kuptohet se ka pakënaqësitë e tij, duke thënë në konferencën për shtypin para ndeshjes me Dinamon: “Çfarë mund të them... trajneri ka një zë shumë të fortë.”

E ardhmja e Conceição-s: për momentin e sigurt, por bastet flasin ndryshe

Pavarësisht të gjithave, Milani i qëndron vendimit të tij dhe nuk e vë në diskutim Conceição-n.

Kandidatët e përfolur mëngjesin e sotëm nga Tuttosport, si Max Allegri, Edin Terzić dhe Xavi, do të duhet të presin një mundësi tjetër.

Megjithatë, bastvënësit vazhdojnë ta shohin Conceição-n si një nga trajnerët më të rrezikuar për shkarkim në Serinë A.

Largimi i tij kuotohet me koeficientin 2.00, një ndër më të ulëtit në kampionat, përjashtuar trajnerët e skuadrave që luftojnë për mbijetesë.

Vetëm Marco Giampaolo (1.75), Paolo Zanetti (1.45) dhe Salvatore Bocchetti (1.35) kanë shanse më të mëdha për t’u shkarkuar sesa trajneri i Milanit.