Arrihet akordi, Leipzig blen përfundimisht kartonin e Xavi Simons nga PSG

Klubi i Leipzig duket se ka vendosur më në fund të bëjë investimin për të blinduar Xavi Simons.

Ylli i përfaqësueses së Holandës, sot është zyrtarizuar përfundimisht si pjesë e klubit gjerman, pas një periudhe të gjatë bisedimesh me PSG-në që zotëronte kartonin e tij.

Mesfushori ofensiv, i dalë nga akademia e Barcelonës por i transferuar që në moshë të vogël te PSG, nuk gjeti kurrë hapësira të parisienët dhe pas shpërthimit te PSV, prej dy vitesh ishte i huazuar te klubi gjerman, duke treguar sa vlen.

Kjo shtyu Leipzigun që të bënte një investim të rëndësishëm, duke paguar 50 milionë euro në arkat e PSG-së për të siguruar firmën e tij, me 30 milionë euro të tjera në formë bonusesh që mund të paguhen në të ardhmen në varësi të objektivave të caktuar.

Simons ndërkohë ka firmosur deri në vitin 2027 me klubin gjerman, me të drejtën e rinovimit të marrëveshjes mes palëve.

Futbollisti 21-vjeçar është kthyer që tani në një nga emrat më të rëndësishëm të përfaqësueses së Holandës, me të cilën ka luajtur 24 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.