Gripi i shpendëve/ Mersini: Situata në kontroll, janë evidentuar vatrat dhe janë marrë masat
Të pesta vatrat me gripin e shpendëve në vendin tonë janë izoluar dhe janë marrë masat për të parandaluar përhapjen e virusit në ferma të tjera.
Epidemiologu veterinar Kujtim Mersini thekson se familjet që rrisin shpendë por edhe bizneset duhet ti drejtohen veterinerit nëse shfaqen simptoma.
Në Shqipëri, janë regjistruar pesë vatra të gripit të shpendëve.
Epidemiologët veterinarë shpjegojnë se nuk ka vend për panic dhe se janë zbatuar masat e karantinimit.
Kujtim Mersini Epidemiolog Veterinar tregon se një nga shenjat kryesore është ngordhja e papritur e shpendëve.
‘’Praktikisht është e vështirë për ta kuptuar nëse kemi të bëjmë me gripin e shpendëve apo jo, sidomos nga ana e fermerit.
Por shenja kryesore është ngrodhja e papritur e shpendëve ose shfaqja e sëmundjes në shumë krerë në fermë dhe kjo bën dyshim për fermerin që ka të bëjë me një sëmundje në shpend’’.
Mersini thotë se vatrat e gripit të shpendëve janë izoluar dhe janë marrë masa për të parandaluar përhapjen në ferma të tjera.
‘’Aktualisht vatrat janë në kontroll. Pra janë të identifikuara dhe të izoluara. Nuk kemi vatra të reja në këtë periudhë’’.
Sakaq autoritetet veterinare dhe autoritetet shëndetësore janë duke monitoruar situatën megjithatë fermerët këshillohen që të jenë të jenë të kujdesshëm.
