Mashtrimi me mikrokreditë, GJKKO lë në burg Arben Meskutin, i akuzuar për grup kriminal
Gjykata e Pasaçme, ka refuzuar të shuajë masën e sigurisë “arrest me burg” dhe lirojë pronat e të arrestuarit për skemën e mashtrimit të mikrokredive, Arben Meskurti.
Vendimi i marë sot nga gjyqtari, Erjon Bani, rrëzoi pretendimet e të arrestuarit, Meskurti, se kishin kaluar afatat dhe masa e sigurisë ndaj tij ishte shuar.
Njëherësh Gjyqtari, rrëzoi dhe pretendimet e të arrestuarit për heqjen e masës së sekuestros për pasuritë dhe llogaritë bankare të sekuestruara nga SPAK dhe prokuroria e Tiranës.
Lëvizja e Arben Meskurtit, vjen në një kohë kur prokuroria e Posaçme SPAK, po kryen veprime hetimore për “Mashtrim me pasoja të rënda”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Mospagim Taksash”, “Shpërdorim detyre” dhe deri tek “Grupi i Strukturuar kriminal”.
Kjo dosje është përcjellë nga prokuroria e Tiranës në SPAK në datën 17 prill 2024, ndërsa burimet pranë këtij institucioni thanë se çështja vijon të jetë në verifikim, duke kryer verifikime të veprimeve abuzive të zyrtarëve shtetërorë dhe zyrtarëve privatë.
Rasti fillimisht është ndjekur nga prokurori i Tiranës, Leonard Filopati, i cili pas disa muaj hetime konstatoi se çështja e mashtrimit dhe tjetërsimit të pronave përmes kredive, përmban elementët e një “grupi të strukturuar kriminal”, ku të përfshirë janë jo vetëm drejtues të shoqërisë “Micro Credit Albania”, “Final” dhe fondi “Besa”, por dhe një zinxhir përmbaruesish private e deri tek zyrtarë të Bankës së Shqipërisë.Fijet e këtij grupi sipas prokurorisë së Tiranës shtrihen deri tek zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, të cilët duke “Shpërdoruar detyrën” kanë sjellë masa të parikuperueshme për jetën dhe pronat e mijëra personave.
Në verifikim janë futur përmbaruesit Lefter Cenaj, Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Saimir Dogjani, Astrit Kaptelli, Rrok Deda dhe Altin Vako.
Këto emra përmbaruesish kanë punuar për llogari të “Micro Credit Albania” që kontrollet nga çifti Olsi dhe Elda Ibro me administrator Andis Gjoka dhe “Final” që kontrollohet nga një emër tjetër i njohur për prokurorinë si Arben Meskuti dhe Vasil Bakallbashi.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesi Arben Meskuti me datë 20.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së efektit (shuarjes) së masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 1313, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe masës së sigurimit pasuror caktuar me vendimin nr. 4448, datë 18.07.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shkak se këto masa sigurimi nuk janë vendosur brënda 10 ditëve nga Gjykata kompetente; 2. Heqjen e menjëhershme të tyre, bazuar në nenet 88 dhe 262 të Kodit të Proçedurës Penale”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në Vendimin Unifikues e Njësues Nr. 55, datë 13.10.2021, me vendimin Nr. 69, datë 27.01.2025, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 27.01.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

