Detajet e hetimit nga Kolumbia/ "Furnizonte" me armë mafian shqiptare, ja si u kap Almir Gjidiaj

Almir Gjidiaj, 33 vjeç, është arrestuar në Kartagjenë nga policia kolumbiane. 33-vjeçari nga Tropoja ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet nga GJKKO si pjesëtar i një organizatë kriminale për trafikim të armëve.

Gjidiaj ishte akomoduar në një hotel të njohur në ishujt Rosario. Kur policia ka ndërhyrë për ta arrestuar, 33-vjeçari ka tentuar që të arratiset, por është kapur në oborrin e hotelit.

Pas shkëmbimit të informacioneve me Interpol u zbulua se ai kërkohej nga Shqipëria, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e akuzon si pjesëtar të një organizate kriminale për trafikimin e armëve.

Roli i tij kryesor ishte të drejtonte logjistikën dhe transportin për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.

Këto armë përdoreshin nga të ashtuquajturat mafia shqiptare, të lidhura drejtpërdrejtë me Kartelin Ballkanik, me prezencë në Mbretërinë e Bashkuar.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kolumbiane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 33-vjeçarit në Shqipëri.

Almir Gjidiaj rezulton në të njëjtin grup me te arrestuarin tjetër në gusht të vitit të shkuar, Admir Tutaj i cili u ekstradua drejt vendit tonë.