NJIHEN VITET E PUNËS! Nga 65 vjeç sigurojnë pensionin minimal, të tjerët në gjyq
Të gjithë personat mbi 65 vjeç që nuk kanë vitet e punës do të marrin pensionin minimal. Çështja po diskutohet në komisionet parlamentare ku propozohet njohja e menjëhershme e viteve të punës. Për ata që do të kërkojnë të ardhura më të larta çështja sërish do vijojë në procedura gjyqësore
Pensioni social prej rreth 70 mijë lekë për ata që nuk kanë vitet e punës nuk do të jepet pas mbushjes së moshës 70 vjeçare.
Tashmë për ndërmarrjet shtetërore, fermat dhe kooperativat vitet e humbura të punës, gabimet apo problemet e tjera do të njihen menjëherë pas ndryshimit në ligj. Megjithatë, në komisionet parlamentare u theksua se ka një maksimum të shumës që përfitohet.
Për të gjithë ata që do të pretendojnë më shumë të ardhura rruga e gjyqit mbetet e hapur. Nisma e propozuar kur jemi katër muaj para zgjedhjeve për opozitën është për të ndikuar te votuesit, çka solli dhe debate mes deputetëve.
Përfituesit nga kjo skemë shkon nga 40 mijë deri në 70 mijë persona. Pas diskutimeve në komisionet parlamentare ligji do të votohet në parlament, e më tej do kërkohet firma e Presidentit.
PREZANTIMI I NISMES NE KOMISION

Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë po shqyrtohet sot projektligji “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh gjatë punimeve të këtij komisioni se ky “projektligj ka rëndësi për një numër të madh qytetarësh që kanë punuar para vitit 1994 dhe nuk kanë mundur të dokumentojnë periudhat e tyre të punës për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore”.
“Projektligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore nga mosha 18 vjeç apo nga data e mbarimit të shkollës së lartë deri në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit 7703 të vitit 1993 në ish-ndërmarrjet bujqësore, në datën e hyrjes në fuqi të VKM-së Nr.452, datë 17/10/1992 për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, i ndryshuar dhe në ish-kooperativat deri në datë 19/07/1991 që është data e hyrjes në fuqi e ligjit 7501 për tokën, i ndryshuar”, tha Manjani.
Zëvendësministrja shpjegoi se, “në përmbushje të legjislacionit në fuqi, me qëllim njohjen e periudhave të punës për efekt të llogaritjes së masës së pensionit të pleqërisë, është konstatuar se shumë nga punonjësit e ish-ndërmarrjeve shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore nuk arrijnë të provojnë dhe dokumentojë të gjitha periudhat e vjetërsisë për marrëdhëniet e punës para vitit 1994”.
“Problematikat në dokumentacionin provues janë evidentuar edhe nga legjislacioni zbatues i Sigurimeve Shoqërore. Në shumë raste, kërkuesit nuk ishin periudha kontributive pas vitit 1994, nuk plotësohej kushti minimal i periudhës së sigurimit, pra 15 vjet gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë padi për njohjen e periudhave të padokumentuara përpara vitit 1994″, vuri në dukje ajo.
“Ky proces zgjat në kohë, ka shpenzime të mëdha për qytetarët dhe administratën publike, ndaj projektligji synon rregullimin e efekteve të mbartura si rezultat i problematikës që është krijuar ndër vite me njohjen e viteve të punës për personat që u lind e drejta për njohjen e viteve të punës, edhe në rastet kur ka mungesë të dhënash, të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, fletë të dëmtuara, të dhëna të pasakta etj”, u shpreh Manjani.
Sipas zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, “miratimi i këtij projektligji do të mundësonte njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen nga ana administrative për përfituesit, por do të bënte të mundur dhe përfitimin e një pensioni sa masa e pensionit social”.
“Sipas analizës financiare, kosto e shtuar në vitin e parë të zbatimit të këtij projektligji rezulton rreth 40 milionë lekë. Në vlerësimin e kohës mesatare të gëzimit të pensionit, që është 15 vite kosto për këta përfitues, është rreth 600 milionë lekë për këta përfitues. Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, vit pas viti deri në një periudhë 16 –vjeçare rezulton në pesë miliard lekë”, theksoi Manjani.
Zëvendësministrja e MEKI-t, shtoi se “miratimi i këtij projektligji do të sjellë ndikime pozitive sociale duke përfshirë përfitime më të mëdha pensioni për individët që deri tani nuk kanë mundur të njohin periudhat e punës, do të rrisë edhe sigurinë sociale për ata që kanë punuar para periudhës së viteve 1994 dhe do të ndihmojë në eliminimin e pabarazive sociale”.



