FOTO-STATISTIKAT/ Java e 21-të e Superiores, tre ekipe udhëheqin me pikë të barabarta! Ky është formacioni & trajneri i javës së 21-të
Java e 21-të e kampionatit “Abissnet Superiore” uli siparin mbrëmjen e së dielës me ndeshjen e fundit Dinamo City – AF Elbasani.
Djemtë e Ilir Dajës u rikthyen te fitorja në kampionat, pasi mundën AF Elbasanin në stadiumin “Elbasan Arena” 3-1.
Po të dielën Partizani triumfoi ndaj Teutës në “Niko Dovana” me rezultatin 2-0. Të kuqtë e kryeqytetit i shënuan të dy golat e fitores në fraksionin e dytë.

Edhe Vllaznia fitoi në transfertë ndaj Skënderbeut. Kuqeblutë dominuan ndeshjen në Korçë dhe fituan 4-0. Bekim Balaj ishte autori i tre golave në këtë sfidë.
Të shtunën, Egnatia mundi Tiranën në stadiumin “Arena Kombëtare” me rezultatin e thellë 4-0.
Bylisi regjistroi triumfin e radhës në kampionat, pasi mundi Laçin në shtëpi 3-0.

FORMACIONI & TRAJNERI I JAVËS
Trajnerët e ekipeve kombëtare përzgjodhën si zakonisht formacionin dhe trajnerin e javës.
Si portieri i javës është përzgjedhur: Klevis Hasanbelli (FK Bylis) ndërsa në vijën e mbrojtjes rreshtohen katër futbollistët: Edison Ndreca (KF Egnatia), Arbenit Xhemajli (KF Egnatia), Marcelino Preka (FK Partizani) dhe Jorgo Meksi (Dinamo City)
Mesfusha përbëhet nga Esat Mala (KF Vllaznia), Gjelbrim Taipi (FK Partizani) dhe Serxho Ujka (KF Egnatia).
Në majën e sulmit është Bekim Balaj (KF Vllaznia), ndërsa në krahë qëndrojnë Baton Zabërgja (Dinamo City) dhe Erich Berko (FK Bylis).
Trajneri i javës është shpallur Edlir Tetova.



