Kerry zgjat misionin në Lindjen e Mesme

Sekretari i Shtetit Kerry zgjati sot misionin e tij të paqes në Lindjen e Mesme, me vajtje-ardhje mes Jeruzalemit dhe Amanit për më shumë bisedime me zyrtarët palestinezë dhe ata izraelitë lidhur me rifillimin e bisedimeve dy-palëshe. Dhe si rezultat atij iu desh të anullonte një vizitë të planifikuar në Abu Dabi.“Me që takimet e Sekretarit Kerry mbi procesin e paqes vazhdojnë në Jeruzalem dhe Aman, ne nuk do të jemi në gjendje të shkojmë në Abu Dabi. Zoti Kerry i kërkoi falje zyrtarëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për ndryshimin e planeve të tij”, tha zv. zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf.Një zyrtar izraelit që mori pjesë në bisedime tha se vizita e zotit Kerry mund të pasohet me një njoftim se delegatët izraelitë dhe palestinezë do të takoheshin me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Jordanisë. “Ekziston një mundësi e tillë, por nuk është e sigurtë”, tha zyrtari izraelit, ndërkohë që pala amerikane nuk pranoi të komentonte.Bisedimet e drejtpërdrejta izraelito-palestineze u ndërprenë nga fundi i vitit 2010.Negociatori palestinez Saeb Erekat priti sot zotin Kerry në banesën e presidentit Abbas në Aman para se në takim të shkonte edhe vetë presidenti palestinez. Dy zyrtarët e lartë Abbas dhe Kerry ishin takuar para më pak se 24 orësh.Negociatori Erekat e pyeti Sekretarin Kerry rreth takimeve të djeshme me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Shimon Peres. “Ishin takime pozitive dhe interesante”, u përgjigj zoti Kerry.Nuk është e qartë nëse Sekretari Kerry do të jetë në gjendje të njoftojë rifillimin e bisedimeve para se të largohet nesër nga Lindja e Mesme drejt Azisë, por një zyrtar amerikan e ka krahasuar misionin e tij diplomatik me përpjekjet e paqes në Lindjene  Mesme të Henry Kissingerit në vitet 1970-të. Vetë zoti Kerry, në vizitën e pestë në rajon për të rigjallëruar bisedimet e paqes, ka thënë se nuk do të ishte kthyer kaq shpejt nëse nuk besonte për se mund të bënte përparim. Megjithë përpjekjet e fundit për rifillimin e bisedimeve izraelito-palestineze, zoti Kerry përballet me pengesa të mëdha.Grupi Hamas, i cili qeveris Rripin e Gazës, i bëri thirrje dje Presidentit palestinez Mahmoud Abbas që të mos pranojë negociata, madje udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniya e paralajmëroi zotin Abbas "që të mos bjerë përsëri në kurthin e bisedimeve”.