Presidenti Obama, dialog me të rinjtë afrikanë

Presidenti Barak Obama zhvilloi një dialog të rinjtë nga Afrika e Jugut dhe tre vende të tjera afrikane ndërsa iu është përgjigjur pyetjeve të tyre për çështje që nga rritja ekonomike e deri tek anti-ekstremizmi. Presidenti dukej i qetë dhe plot energji gjatë dialogut me të rinjtë e mbledhur në mjediset e Universitetit të Johanesburgut në Soweto.Afrika është në lëvizje, tha presidenti, por ndeshet me sfida të mëdha që nuk mund të injorohen. Të rinjtë afrikanë, tha Presidenti, do të marrin në dorë udhëheqjen.“Ndërkohë që shumë afrikanë ende ndeshen me vështirësi tepër të mëdha dhe padrejtësi të shumta, një Afrikë e re, më e begatë, plot vetëbesim, po zë vendin e vet në arenën botërore. Një ndër arsyet për këtë është brezi juaj”.Duke nderuar heronjtë e anti-aparteidit, përfshirë ish-Presidentin Nelson Mandela dhe Arqipeshkvin Desmond Tutu, Obama kujtoi Hector Pieterson-in, një djalë të vrarë nga zjarri i policisë gjatë një proteste në 1976.“Gjatë vizitës sime në Afrikën e Jugut, pata rastin të bëj nderime në përkujtimoren për Hector Pietersonin, një djalë afrikan që tundi botën. I prekur nga sakrifica e të gjithë atyre që u ngritën para nesh, që ne të kemi mundësinë të jemi sot të lirë, unë ndjehem i nderuar që kthehem në Soëeto si Presidenti i Shteteve të Bashkuara”.Më parë Presidenti Obama dhe Presidenti Jacob Zuma diskutuan mbi konfliktin në Republikën Demokratike të Kongos, situatën politike në Zimbabve dhe përparimin e bërë në Afrikën e Jugut në luftën kundër Sidës.Obama nuk shkoi për të vizituar ish-presidentin Nelson Mandela, i cili ndodhet në spital prej më shumë se 20 ditësh. Ai zhvilloi një takim privat me vajzat dhe nipat e zotit Mandela, si dhe foli me telefon me të shoqen e zotit Mandela.Sot Presidenti, Zonja e Parë dhe dy vajzat e çiftit shkojnë në Kejptaun, ku ai do të mbajë një fjalim të rëndësishëm ku pritet të prezantojë synimet e tij për të rritur investimet dhe për të fuqizuar rininë afrikane që të marrë në dorë të ardhmen e kontinentit.