Obama apelon për qetësi në Egjipt: Të angazhohen për dialog konstruktiv
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shprehur shqetësim për protestat e dhunshme në Egjipt dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.Përleshjet e së premtes në Aleksandri dhe Port Said kanë lënë tre persona të vdekur, në mesin e tyre një shtetas amerikan.Duke folur në Pretoria të Afrikës së Jugut, Obama u ka bërë thirrje mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit egjiptian, Muhammad Morsi, që të lënë mënjanë dallimet dhe të angazhohen për dialog konstruktiv.Presidenti amerikan ka thënë se asnjëra palë nuk përfiton nga “ngërçi aktual”.Nderkaq tre persona kanë humbur jetën në Egjipt, në përleshjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Mohamed Morsi.Dy njerëz janë vrarë në Aleksandri, përfshirë një amerikan të ri, i cili është goditur me thikë deri në vdekje. Viktima e tretë është raportuar në Port Said.Zjarrvënie në zyrat e Vëllazërisë Myslimane, partisë së presidentit, janë raportuar në Aleksandri dhe gjetkë.Në kryeqytetin Kajro, dhjetëra-mijëra njerëz kanë dalë në demonstrata rivale, për dhe kundër Morsit.Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar amerikanët të mos udhëtojnë drejt Egjiptit dhe kanë urdhëruar stafin jo-urgjent diplomatik që të lërë zyrat.Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë në Egjipt “që të mbeten vigjilentë”.Presidenti Morsi ka mbajtur një fjalim të mërkurën në lidhje me vitin e tij të parë në detyrë. Ai u ka bërë thirrje kundërshtarëve që të përmbahen nga provokimet dhe t’i bashkohen dialogut.Opozita ka hedhur poshtë thirrjet e presidentit dhe ka përsëritur kërkesat për zgjedhje të reja.Protestuesit akuzojnë Morsin se ka dështuar të përmbushë qëllimet demokratike të revolucionit, i cili ka detyruar sunduesin veteran, Hosni Mubarak, të lërë pushtetin në fillim të vitit 2011. Ata po ashtu thonë se presidenti i ka dorëzuar zhvillimin e Egjiptit Vëllazërisë Myslimane, e cila ndjek një agjendë islamike.Kundërshtarët fajësojnë Morsin edhe për përkeqësimin e ekonomisë së Egjiptit dhe të standardeve të jetës për njerëzit e rëndomtë.Në një tubim të ndarë, të premten në Kajro, Vëllazëria Myslimane është zotuar se do të parandalojë çdo largim të Morsit nga zyra.Shtetet e Bashkuara, të cilat japin miliarda dollarë ndihma për Egjiptin, si dhe Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Egjipt që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të tërhiqen nga konfrontimi.Tensionet janë rritur në prag të protestës masive që ka paralajmëruar opozita për të dielën. Më 30 qershor është përvjetori i parë i inaugurimit të Morsit.