Obama shmang vizitën te Mandela

Shumë njerëz menduan se presidenti amerikan, Barak Obama, sapo të mbërrinte në Afrikën e Jugut do të ndalonte për të vizituar ish-presidentin Nelson Mandela, i shtruar prej disa ditësh në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.Por, kreu i Shtëpisë së Bardhë u përpoq të ulte pritshmëritë, duke thënë se nuk do ta shfrytëzonte këtë mundësi në një moment kaq të papërshtatshëm.“E fundit gjë që do të doja, do të ishte një foto imponuese, në kohën kur familja e tij është e shqetësuar për gjendjen e Nelson Mandelës”.“Air Force One” u ul të premten në Pretoria, kryeqytetin eAfrikës së Jugut. Gjatë qëndrimit, Obama do të takohet me presidentin Jakob Zuma dhe është parashikuar të vizitojë Roben Ajlend, ku Mandela qëndroi i burgosur për 18 vjet me radhë.“Mesazhi kryesor që duam të japim nuk duhet t’i drejtohet atij, domosdoshmërisht, por familjes së tij. Ne shprehim mirënjohjen e thellë - tha Obama, që ka fituar si Mandela Çmimin “Nobel” për Paqen - për udhëheqjen e tij në këto vite dhe t’i komunikojmë ndjenjat dhe lutjet e popullit amerikan, i cili i qëndron pranë atij, familjes dhe vendit të tij”.Në Pretoria u zhvillua një protestë kundër presidentit amerikan dhe politikës së jashtmë të SHBA-ve. Obama u takua me Mandelën në 2005, kur ai ishte senator. Ai e ka përshkruar Mandelën si heroin e botës, trashëgimia e të cilit do të zgjatet përgjatë epokave që do të vijnë.