BE arrin marrëveshje për buxhetin
“Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë arritur të bien dakort për buxhetin në shtatë vitet e ardhshme pas shumë mosmarrveshjesh” njoftoi Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 është arritur mes 27 shteteve anëtare dhe Parlamentit Europian. Për herë të parë që nga krijimi, liderat e Eurozonës bien dakort të shkurtojnë shpenzimet në disa sektorë. Marrëveshja për buxhetin e ri parashikon 920 miliard euro për 7 vitet e ardhshme.Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso në përfundim të samitit në Bruksel deklaroi se plani synon përshpejtimin e reformave për punësimin e të rinjve.Një në katër të rinj në BE të moshës 18 deri 25 është aktualisht i papunë, ndërsa në Greqi dhe Spanjë situata është akoma më dramatike, ku më shumë se gjysma e të rinjve nuk mund të gjejnë dot punë.Udhëheqësit e BE-së dhe vendet anëtare po konsiderojnë mundësinë e shpenzimit të 6 miliard eurove më herët nga sa kishin planifikuar për të ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë.Gjithashtu liderat e BE-së ranë dakort dhe për reforma në bujqësi si dhe krijimin e një mekanizmi për shpëtimin e bankave.Marrëveshja për buxhetin 2014-2020 ishte arritur që në muajin shkurt, por ajo ishte bllokuar nga Parlamenti Europian që vendosi si kusht që paratë që tepronin në përfundim të një viti buxhetor të kalonin automatikisht për tek viti tjetër buxhetor dhe jo t'u ktheheshin qeverive të vendeve anëtare.Kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz u bëri thirrje euro-deputëteve që ta mbështesin masat e marra. Ndërkohë që Parlamenti Europian pritet të votojë për buxhetin javën e ardhshme ku me shumë gjasa do të miratohet pa pengesa.