Miratohet buxheti i Bashkisë për 2025-ën, Llatja: Në fokus zhvillimi ekonomik dhe social i Elbasanit
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, u miratua buxheti për vitin 2025, programi buxhetor afatmesëm 2025-2027 si dhe u miratuan vendime të rëndësishme që e vendosin Elbasanin në një trajektore zhvillimi domethënës.
Kryetari bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja tha se, në këtë mbledhje u miratuan gjithashtu vendime që forcojnë përkujdesjen sociale.
Sipas tij, ndihma ekonomike, bursat për nxënësit dhe nisja e programit për subvencionimin e interesave të kredive për strehim, janë vetëm disa nga hapat konkretë për të ndihmuar qytetarët tanë.
Llatja bëri të ditur se, buxheti 2025 i miratuar sot ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe social të Elbasanit.
“Synimi mbetet tek përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët në nevojë, duke u ofruar jo vetëm ndihmë ekonomike, por edhe mbështetje për përfshirjen sociale dhe akses në shërbime të specializuara”, tha ai.
Llatja theksoi se, vendimet e marra janë një tregues i qartë i vullnetit për të ndërtuar një Elbasan më të drejtë dhe më të fuqishëm për të gjithë qytetarët.
