"Kolegu" Veliaj del i nxirë në fytyrë nga SPAK-u/ Qytetarët i hedhin letra, policët dhe IMT-ja e mbrojnë nga gazetarët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh. Veliaj iu drejtua ambienteve të Prokurorisë së Posaçme rreth orës 09.00 të mëngjesit të kësaj të enjte.
Ai nuk komentoi për gazetarët, teksa linte ambientet e Prokurorisë së Posaçme, lidhur me çështjen për të cilën u pyet, por shkurtimisht tha se do të japë më shumë informacione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Olsi Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Veliajt, SPAK u shpreh se janë ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa hetimi i nisur nga prokurori Dado është ende në faza paraprake.
Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.
