“Ligjet” miratojnë projektbuxhetin e vitit 2025; Alibeaj paraqet 6 amendamente

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2025.

Gjatë mbledhjes deputeti i opozitës, Enklejd Alibeaj paraqiti 6 amendamente, ndërsa e cilësoi buxhetin e vitit 2025 si buxhet elektorale.

“Është buxhet i qartë elektoral dhe korruptiv. Fakti që janë çuar kaq shumë para për investime do të shkojnë për praktika korruptive. Sjell këtu ca ndjeshmëritë e grupeve sociale që s’e kanë mundësinë të përfaqësohen, po paraqes 6 amendamente sipas radhës, jo rëndësisë.

Shuma që duhet të shkojë për rehabilitimin e të përndjekurve politikë. Amendamenti është i thjeshtë në projektbuxhetin për shumën që duhet të shkojë, është parashikuar shuma mjerane prej 0.05% e prodhimit të brendshëm bruto, kjo shumë duhet të katërfishohet.

Së dyti amendament për fondin e kompensimit financiar të pronave. Është detyrim jo vetëm ligjor pro edhe politik që ky fond po ashtu duhet të katërfishohet dhe të bëhet 966 mln lekë për 2025.

Amendament për Rininë dhe Sportin, është përcaktuar nga qeveria vlera 632 mln lekë, ky buxhet të rritet me 30%. Së katërti për Bujqësinë, mbështetje për MBZHR-në duhet të rritet me 30% për buxhetin e 2025. Së pesti tek fondi për indeksimin pensioneve indeksimi dhe bonusi i pensioneve, të rritet.

Amendament tjetër do ta prezantojmë në komisionin e Ekonomisë për një fond speciale për rritjen e pensioneve minimale”- tha Alibeaj.

Po ashtu gjatë mbledhjes së komisionit u miratuan projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” si dhe projektvendim “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publik”.