Trajneri i Islandës e cilëson kundërshtar të vështirë Kosovën
Kombëtarja e Kosovës do të luajë kundër Islandës, në play-offin për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Një gjë e tillë u vendos sot në shortin e tërhequr në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Lidhur me këtë short, ka folur edhe trajneri i Islandës, Age Hareide, i cili e cilësoi kundërshtar të vështirë Kosovën.
“Nuk ka diferencë të madhe ndërmjet shumicës së skuadrave të Ligës B dhe C.
Për ne është e rëndësishme të qëndrojmë në Ligën B dhe për ta arritur këtë, duhet t’i bëjmë dy paraqitje të mira ndaj një kundërshtar të vështirë.
Kemi një grup të mirë të lojtarëve dhe shpresoj se të gjithë do të jenë të gatshëm për këto ndeshje të marsit”, është shprehur Hareide pas shortit që u hodh sot.
Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Islandës zhvillohet më 20 mars të vitit të ardhshëm, kurse ajo e kthimit tri ditë më vonë.
